
Turqia po flet sot për një vendim të papritur të Kıvanç Tatlıtuğ, një prej aktorëve më të njohur të ekranit turk.
Aktori ka mbyllur llogaritë e tij në Instagram dhe X, pa dhënë paraprakisht ndonjë shpjegim për këtë lëvizje. Vetëm në Instagram, Tatlıtuğ ndiqej nga rreth 5 milionë persona.
Zhdukja e papritur e profileve ka ngritur menjëherë pikëpyetje mes fansave.
Deri më tani, nga aktori nuk ka ardhur një deklaratë që sqaron arsyen e vendimit apo nëse largimi nga rrjetet sociale do të jetë i përkohshëm apo përfundimtar.
Në mediat turke janë përmendur skenarë të ndryshëm, nga dëshira e aktorit për t’u distancuar nga rrjetet sociale deri te mundësia e një problemi me llogaritë, por asnjë prej tyre nuk është konfirmuar nga Tatlıtuğ.
Lëvizja vjen në një periudhë kur aktori është larguar prej një kohe nga ekranet televizive.
Së fundmi është raportuar gjithashtu se ai po përgatitet për një projekt të ri digjital që do ta çonte në vende të ndryshme të botës, duke eksploruar gastronominë dhe kulturat lokale, me xhirimet që pretendohet se mund të nisin në shtator.
Tatlıtuğ, i njohur për publikun shqiptar nga seriale të suksesshme si “Gümüş”, “Aşk-ı Memnu”, “Kuzey Güney” dhe “Cesur ve Güzel”, vazhdon të jetë një prej figurave më të njohura të kinematografisë dhe televizionit turk.
Mbetet të shihet nëse aktori do të rikthehet në rrjetet sociale apo vendimi i tij shënon një largim më afatgjatë nga bota digjitale. /Prive By Liberta Spahiu.

Leave a Reply