Marius Dervishi, i njohur në publik si “Zebërvoki”, ka njoftuar vendimin për t’u larguar nga radhët e Policisë së Shtetit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ditën e hënë do të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për dorëheqje, duke i dhënë fund karrierës së tij si efektiv policie.
Në story-n e tij në Instagram, Dervishi shprehet mjaft kritik ndaj klimës së krijuar në opinionin publik ndaj uniformave blu.
Ai denoncon atë që e quan një ‘fushatë’ të padrejtë ndaj policëve, duke theksuar se efektivët shpesh etiketohen kolektivisht si kriminalë apo dhunues, pavarësisht situatës reale në terren.
Ky vendim vjen vetëm një ditë pas protestave të zhvilluara pranë zonës së Parlamentit, ku u shënuan përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Reagimi i plotë:
“Ne jemi ‘POLICIA QË NUK DUAM’, dhe për këtë arsye, nga e hëna unë dorëzoj kërkesën për dorëheqje nga puna.
Jo sepse janë policët e këqinj, jo se nuk e dua më punën time, por thjesht sepse nuk dua të jap më asnjë lloj kontributi për asgjë.
Policat gjithmonë kriminalë, policat gjithmonë dhunues, policat patronazhistë – çfarëdo epiteti që na keni vendosur. Media kundër, populli kundër, e në fakt ne që jemi viktima po na nxirrni si autorë. Unë nuk e kapërdij dot këtë lloj fushate ku në çdo gjë fajin e ka POLICIA.
Unë shpirtin e drejtë nuk ia kam shitur dhe, përtej çdo të mire tjetër që më ka mundësuar Zoti, prapë zgjedh të jem efektiv i një policie, por ama këtë pasion po e ‘braktis’, i nxitur nga mllefi dhe urrejtja që keni ju si popull për policat dhe nga përgjithësimi që bëni duke i konsideruar të gjithë policat njësoj.
Po mos harroni një gjë: ‘Çka nuk e sheh syri i kamerës, e sheh Zoti lart’”, shkruan ai.


Leave a Reply