Djaloshi që u bë viral gjatë protestave: Çfarë fshihet pas mesazheve të tij?

Mes tymit, britmave dhe gjithë atij tensioni që ka përfshirë rrugët e Tiranës, ku kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit mbetet e palëkundur, një djalë i mbuluar me maskë, syze skijimi e dorashka është kthyer në sensacionin absolut të rrjetit.

Gjithçka nisi me videon ku ai bën tre lëvizjet e famshme: “Speak no evil, see no evil, hear no evil” (Mos fol ligësi, mos shih të keqen, mos dëgjo të keqen). Ky mesazh unik, i marrë nga filozofia e tre majmunëve të urtë, në mes të protestës ka një domethënie shumë të fortë. Është një thirrje e heshtur por me zë shumë të lartë për të mos u ushqyer nga urrejtja, negativiteti apo dhuna gjatë kaosit.

Por historia nuk mbaroi me kaq. Ky djalë po vazhdon të bëhet viral ditë pas dite me momente të tjera ku shpërndan vetëm dashuri. Edhe në momentet më të tensionuara të protestës në kryeqytet, ai shihet duke u afruar e duke u dhuruar shenja dashurie, puthje e përqafime madje edhe ndaj vetë policëve.

Në një kohë kur përplasjet dhe revolta janë në kulm, kjo mënyrë e të shprehurit i ka prekur të gjithë dhe ky veprim kaq njerëzor ka marrë zemrën e çdo personi që e ka parë në internet.

Kjo kulturë e protestës nga Gen Z po krahasohet shpesh me atë që shohim në vende europiane, ku revolta merr formën e artit, simbolikës dhe paqes. Me këtë qasje ndryshe, ai me të vërtetë ka marrë zemrën e të gjithëve.

E ndërsa ky djalosh i ri shqiptar i maskuar vazhdon të mbetet misteri dhe kryefjala më e bukur e rrjeteve sociale, protestat në Shqipëri po vazhdojnë tashmë në javën e dytë të tyre. /Prive By LS/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*