Pak para debutimit si moderatore e sezonit të shtatë të “Për’puthen”, Heidi Baci ka treguar se cila prej ish-drejtueseve të programit i ka pëlqyer më shumë në këtë rol.
E ftuar në “Wake Up”, Heidi u vendos përballë një pyetjeje me humor nga Blendi Salaj. Nëse për shkak të një gabimi me rezervimin e hotelit do t’i duhej të ndante shtratin me Ori Nebijajn, Bora Zemanin ose Megi Pojanin, kë do të zgjidhte? Përgjigjja e saj ishte Megi.
“Mendoj me Megin, të më jepte ndonjë këshillë. Mirë do të ishte, motër. Hajde këtu”, tha Heidi duke qeshur.
Megjithatë, zgjedhja e saj nuk lidhej vetëm me batutën. Baci tregoi se e vlerëson mënyrën se si Megi Pojani e ka drejtuar “Për’puthen”, duke veçuar energjinë dhe spontanitetin e saj.
“Moderimi i saj në atë emision më pëlqen shumë. Ka shumë energji, ka shumë ngjyra. Është një nga ato personazhet avangardë që thyen tabu, që nuk i intereson dhe hidhet, provon, rrezikon. Mua kjo gjë më pëlqen”, u shpreh ajo.
Heidi pranoi se personaliteti i saj është më i përmbajtur, ndaj marrja e drejtimit të një formati si “Për’puthen” përbën një sfidë të re. Pikërisht për këtë arsye, ajo duket se vlerëson te Megi karakteristika të ndryshme nga të sajat.
Në sezonin e shtatë, Heidi Baci do të drejtojë “Për’puthen”, ndërsa në rolin e opinionistëve do të ketë në krah Erjola Doçin dhe Drini Zeqon.

Leave a Reply