Rasti mes Joz Markut dhe Ed Kuçit tashmë ka kaluar edhe në duart e organeve të drejtësisë. Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj Joz Markut pas përballjes fizike me Ed Kuçin, ngjarje për të cilën ditëve të fundit janë publikuar disa pamje në rrjete sociale.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Pejë për Indeksonline, duke bërë të ditur se rasti është hapur me vetiniciativë nga prokurori kujdestar.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ndaj Markut është hapur rast për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, lidhur me lëndimet që dyshohet se i janë shkaktuar Ed Kuçit.
“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Nikçi për Indeksonline.
Por zhvillimi nuk përfundon këtu.
Sipas të njëjtit burim, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen e Joz Markut në stop listë dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij. Indeksonline raporton se Policia është autorizuar edhe për arrestimin e tij.
Prokuroria ka sqaruar se veprimet janë ndërmarrë duke u mbështetur në dispozitat e Kodit Penal që mundësojnë zbatimin e ligjit ndaj një shtetasi të huaj për një vepër penale të kryer jashtë territorit të Kosovës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës.
Zhvillimi vjen pas publikimit të pamjeve nga përballja mes dy ish-banorëve të Big Brother VIP, ku Ed Kuçi shihet duke u goditur dhe më pas duke u ulur në gjunjë.
Tashmë, përtej përplasjes publike dhe videove që kanë qarkulluar në rrjet, çështja ka marrë edhe drejtim penal. /Prive By Liberta Spahiu/

Leave a Reply