“Nuk më ka bërë nëna objekt talljeje”, Labi reagon pasi e quajtën “shka”

Këngëtari dhe humanisti i njohur kosovar, Labinot Tahiri, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, vetëm pak ditë pasi propozoi një nismë që nxiti debate të mëdha në opinionin publik.

Labi ka deklaruar se do t’i fikë rrjetet e tij sociale ditën e nesërme.

Reagimi i tij vjen pas propozimit që zgjoi polemika, ku ai u bëri thirrje qytetarëve, biznesmenëve dhe miqve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që të bashkohen për të mbledhur rreth 200 mijë euro. Plani i tij parashikonte blerjen e nga një veture luksoze të tipit Mercedes-Benz (me vlerë deri në 50 mijë euro secila) për ish-presidentin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre.

I përballur me fyerje dhe akuza pas kësaj ideje, Labi ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë ndaj një pjese të publikut. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se për momentin nuk mund të vazhdojë me veprimtaritë e tij humanitare, duke udhëzuar të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë financiare apo mjekësore që t’u drejtohen institucioneve shtetërore, si komunat dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Ata që kanë nevojë shumë, prej rasteve të vogla e deri te kanceri, le të drejtohen atje ku ne i kemi krijuar institucionet… Për kancer është ministria dhe spitalet, për shtëpi janë komunat. Nuk më ka bërë nëna objekt talljeje e me më quajtur edhe ‘shka’ kur mundohem të punoj për mirë,” u shpreh ai ndër të tjera.

Labi po ashtu njoftoi se do të largojë praninë e tij nga rrjetet sociale (“OFF”), duke nëvizuar se nuk ka asnjë obligim ligjor ndaj askujt dhe se të gjithë veprimtarinë humanitare e ka bërë nga vullneti i mirë e dashuria për popullin.

Ai përmbylli reagimin e tij duke konfirmuar se do të vazhdojë me angazhimet e tij profesionale në muzikë dhe mbrëmjet muzikore të caktuara, ndërsa u kërkoi falje mbështetësve të tij për këtë shkëputje të përkohshme. /Prive By Liberta Spahiu/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*