Personazhi i njohur i rrjeteve sociale dhe TikTok-ut, Aleks Visha, është arrestuar në Dubai, një ngjarje kjo që ka shkaktuar menjëherë reagime dhe diskutime të shumta në rrjet.
Ka qenë vetë Visha ai që ka zbuluar këtë lajm të papritur, duke ndarë me ndjekësit e tij në Instagram (InstaStory) pamjet nga momenti i ndalimit brenda automjetit të policisë.
Sipas asaj që vetë Aleks Visha ka shkruar në mbishkrimin e videos së shpërndarë në profilin e tij, arrestimi dhe vendimi për deportim kanë ardhur pas mbylljes së një fushate në platformën GoFundMe.
Përmes këtij organizimi, ishin mbledhur rreth 450 mijë dollarë për të ndihmuar një vajzë që po lufton me sëmundjen e rëndë të leucemisë.
I habitur dhe i revoltuar nga kjo situatë, ai është shprehur tekstualisht:
“Pas një GoFoundi ku u mblodhën 450k dollarë direkt në burg, pse? Dhe deportim nga Dubai pas një telefonate që thojnë unë jam kriminel?”
Pamjet e publikuara nga vetë personazhi i njohur janë përhapur me shpejtësi të madhe në të gjitha mediat sociale. Megjithatë, deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet policore apo diplomatike në Dubai lidhur me akuzat e sakta apo statusin aktual ligjor të Aleks Vishës.
Për rrjedhojë, mbetet e paqartë nëse ky ndalim lidhet direkt me menaxhimin e fondeve të fushatës humanitare, apo nëse bëhet fjalë për ndonjë verifikim tjetër nga autoritetet atje.

Leave a Reply