Këngëtari dhe humanisti i njohur, Labinot Tahiri, ka prekur zemrat e të gjithëve me një vendim të madh që ka marrë së fundmi për familjen e artistit Shpat Kasapi, i cili u nda papritmas nga jeta në nëntor të vitit që lamë pas.
Përmes një postimi tejet emocionues në rrjetet sociale, Labi ka bërë të ditur se do të mbështesë financiarisht djalin e vogël të Shpatit, Roelin.
Labi ka treguar se përveç se e ka pasur shok e koleg Shpatin, ndihma e tij nuk ka munguar as më parë në rrugë private, por tashmë ky kontribut do të jetë i vazhdueshëm dhe i lidhur direkt me aktivitetin e tij muzikor.
“Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore-muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij”, ka deklaruar këngëtari, duke sqaruar se të hollat do t’i dërgohen nënës së djalit, Selvies.
Në shkrimin e tij, Labinot Tahiri ka dhënë edhe një mesazh të fuqishëm sigurie për familjarët e të ndjerit, duke iu drejtuar atyre që të mos shqetësohen për anën financiare. “Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm”, është shprehur ai, duke zbuluar se këtë premtim ia kishte dhënë më parë edhe Big Mamës dhe shokut të Shpatit, Xenit.
Në mbyllje të postimit, Labi u ka bërë një thirrje të hapur të gjithë kolegëve të estradës që t’i kthejnë fjalët e mira në vepra konkrete për të ndihmuar familjen e artistit që la një zbrazëti të madhe në muzikën shqiptare.
Ai ka shtuar se beson fort që kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bëhet kujtimit të Shpatit, ndërsa ka falënderuar edhe mërgimtarët e shumtë që e kanë kontaktuar privatisht për të ofruar ndihmën e tyre për Roelin e vogël. /Prive By Liberta Spahiu

Leave a Reply