Një ngjarje e papritur ka tronditur botën e televizionit dhe biznesit në Turqi. Aktori i njohur turk, Burak Çelik, është detyruar të ndërpresë menjëherë pushimet e tij familjare në Antalia për t’u rikthyer me urgjencë në Stamboll, pasi autoritetet nxorrën një urdhër ndalimi ndaj tij si pjesë e një hetimi të gjerë që përfshin disa figura të njohura publike.
Sipas raportimeve të mediave turke, Çelik ndodhej në Antalia me familjen kur u njoftua për këtë zhvillim ligjor. Ai u rikthye në Stamboll mëngjesin e së enjtes, i shoqëruar nga familja e tij, dhe u paraqit menjëherë në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë bashkë me avokatin e tij për të përfunduar procedurat e nevojshme ligjore.
Rasti ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike pasi në të janë të përfshirë 25 persona mjaft të njohur për publikun – duke filluar nga artistë, aktorë, njerëz të biznesit e deri te influencues të rrjeteve sociale.
Hetimi, i cili po koordinohet nga Kryeprokuroria Publike e Bakırköy-t, lidhet me akuza për përdorim të lëndëve narkotike ose stimuluese, lehtësim të përdorimit të tyre dhe sigurim të vendeve për konsum. Autoritetet kanë urdhëruar kontrolle, ekzaminime biologjike dhe marrje të deklaratave nga të dyshuarit. Pas dhënies së dëshmisë dhe përfundimit të të gjitha procedurave, Burak Çelik është lënë i lirë, ndërsa mediat theksojnë se përfshirja në listë apo urdhri i ndalimit nuk nënkupton automatikisht fajësi penale pasi procesi ligjor po vazhdon.
Ky zhvillim i bujshëm vjen në një moment tejet të ndjeshëm për jetën private të aktorit. Bashkëshortja e tij, Ece Bayrak, është në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhee çifti po përgatitet të mirëpresë së shpejti fëmijën e tyre të parë.
Në planin profesional, Burak Çelik (i cili së fundmi shkëlqeu si një nga protagonistët e serialit “Yeraltı”) po bëhet gati për rikthimin e madh në ekran. Ai pritet të luajë në serialin e ri televiziv “Haysiyet”, një projekt me një kastë të madhe aktorësh që trajton konfliktet familjare, nderin dhe ndarjet klasore, dhe që ka zgjuar kuriozitet të madh për sezonin e ri. Ndërkohë që aktori tashmë është i lirë, vendimet e mëtejshme do të varen nga provat që do të mbledhin organet e drejtësisë turke. /Prive By Liberta Spahiu

Leave a Reply