‘Muzikë dhe valle shqiptare’, dalin detajet nga dasma e Duas dhe Callum

Dua Lipa dhe Callum Turner, kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit në dasmën e tyre madhështore prej 1.5 milionë paundësh në Sicili. Ceremonia u përmbyll me një spektakël fishekzjarrësh që zgjati dhjetë minuta. Çifti shkëmbeu zotimet në vilën historike “Villa Valguarnera” në Bagheria, në lindje të Palermos, gjashtë ditë pas martesës së tyre zyrtare në bashkinë e Marylebone në Londër.

Festa madhështore nisi pasditen e së shtunës në rezidencën e shekullit të XVIII. Ndonëse fotot zyrtare të nuses dhe dhëndrit ende nuk kanë dalë, kjo konsiderohet padyshim dasma e vitit në botën e showbiz-it. Rreth 200 të ftuar, darka luksoze, ëmbëlsira tradicionale dhe detaje të shumta u bënë publike gjë që treguan dashurinë dashurië e çiftit.

Momenti më emocionues i ceremonisë ishte kur legjenda e muzikës, Sir Elton John, performoi hitin e tij të famshëm “Your Song”. Ai udhëtoi me avion privat nga Farnborough dhe mbërriti në vilë vetëm një orë para nisjes. Një nga kamarierët u shpreh për Daily Mail: “Ai kishte nga një person në çdo krah për ta udhëhequr sepse nuk shihte mirë, por luajti në piano në mënyrë madhështore.”

Masat e sigurisë ishin ekstreme, me një “rreth çeliku” rreth vilës. Policia bllokoi rrugët, ndërsa stafi i sigurisë kontrollonte çdo person që hynte. Kamarierëve iu kërkua të dorëzonin telefonat e tyre. “Na u desh të vendosnim ngjitëse mbi kamera dhe mikrofon, dhe t’i linim telefonat në qese plastike nga ora 11 e mëngjesit deri pas mesnate,” tregoi një prej punonjësve, raporton DailyMail.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua origjinës shqiptare të Duas. Burimet treguan se gjatë festës pati muzikë shqiptare dhe pati kërcime tradicionale nga një komunitet shqiptar lokal, ku prindërit e Duas, Dukagjini dhe Anesa, kërcyen dhe duartrokitën me shumë entuziazëm.

Dhe për muzikën shqiptare u kujdes këngëtari Besnik Qaka, i cili udhëtoi nga Prishtina në Palermo për dasmën e Duas.

Për dukjen e nuses u kujdes stilistja e njohur Donatella Versace, e cila ishte edhe e vetmja VIP që u pikas nga fotografët jashtë. Ajo krijoi dy fustane të bardha për Duan: i pari, një fustan magjepsës i mbuluar me diamante për ceremoninë, dhe i dyti, një fustan më i rehatshëm për festën e çmendur që zgjati deri në orën 6 të mëngjesit.

Të ftuarit u ulën në një gjysmërrethi karrigesh përpara vilës nën një temperaturë që prekte 30°C. Për t’u freskuar, ata përdorën freskuese të qëndisura me shkronjat “D” dhe “C”, si dhe shami ku shkruhej fraza: “Stay mad with me forever” (Rri i çmendur pas meje përgjithmonë).

Darka me tre pjata u përgatit nga shefi i njohur i kuzhinës, Tony Lo Coco. Menuja përfshinte gatime tradicionale siciliane si Anelletti alla Norma (pasta me patëllxhanë), panelle (qofte me miell qiqrash) dhe crocché (kroketa patatesh). Për ëmbëlsirë u shërbyen cannoli dhe cassate (torta tradicionale siciliane).

Pas darkës dhe fishekzjarrëve të mesnatës, të ftuarit më të moshuar përfshirë Elton John dhe Donatella Versace-n u larguan, ndërsa të rinjtë kërcyen nën ritmet e DJ-ve të njohur si Carl Cox, Martin Garrix, dhe David Guetta. Ndër personazhet e njohur që morën pjesë ishin Charli XCX me bashkëshortin e saj George Daniel, aktori Joe Alwyn, Mark Ronson me bashkëshorten Grace Gummer dhe këngëtarja Olivia Dean.

Dasma u organizua nga planifikuesja e famshme Alessandra Grillo. Çdo detaj kishte një kuptim: në festën e mirëseardhjes të së premtes, sheshi ishte dekoruar me rafte librash. Ky ishte një dedikim për mënyrën se si Dua dhe Callum u njohën. Ata u takuan për herë të parë në Londër, por një vit më vonë, në vitin 2024 në Los Anxhelos, u ulën pranë e pranë dhe zbuluan se po lexonin të njëjtin libër – “Trust” nga Hernán Díaz. Dua kishte deklaruar për Vogue se në atë moment u sigurua “1,000 për qind” që ishin të destinuar për njëri-tjetrin.

“Villa Valguarnera”, ku u mbajt dasma, ka një histori mjaft interesante. Në vitet 1980 ajo u mor nën kontroll nga mafia lokale, e cila donte ta kthente në kazino dhe madje vodhi një statujë të Kllopit me helikopter. Sot ajo është rikthyer në duart e Princeshës Vittoria Alliata Di Villafranca, e cila jeton aty dhe është shprehur se i është dashur ta mbrojë këtë trashëgimi kulturore me “thonj e me dhëmbë” nga politikanët dhe mafiozët.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*