Përplasje e ashpër në “Fan Club”: Tezja e Selin dhe bashkëshortja e Rogertit përballen live

Tensionet e finales së “Big Brother VIP Albania 5” kanë kaluar edhe jashtë shtëpisë, duke kulmuar me një përplasje të fortë në emisionin “Fan Club” mes familjarëve të dy finalistëve, Selin dhe Rogertit.

Të ftuara në studio, tezja e Selin dhe bashkëshortja e Rogertit u përballën drejtpërdrejt, duke shkëmbyer akuza të forta gjatë diskutimit për lojën dhe sjelljen e banorëve brenda shtëpisë.

Tezja e Selin mbrojti me forcë rrugëtimin e mbesës së saj, duke theksuar se ajo ka përballuar sfida të shumta, akuza dhe ofendime, madje edhe tentativa për të dëmtuar imazhin e saj.

“Selin është përballur me gjithçka aty brenda, nga denigrimet deri te cenimi i imazhit. Ajo ka treguar forcë dhe karakter,” u shpreh ajo, duke shtuar se për të, Selin meriton të shpallet fituese.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e Rogertit dha një këndvështrim ndryshe, duke argumentuar se Selin ka zgjedhur vetë të përballet me situatat dhe nuk i ka shmangur përplasjet, pasi ato i kanë shërbyer edhe në lojë.

“Selin mund t’i kishte shmangur disa situata, por ka zgjedhur të përballet. Madje përplasja me Rogertin bëri që të harrohej një tjetër temë,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet për dinamikat e mëparshme në shtëpi.

Debati u ashpërsua më tej kur tezja e Selin akuzoi Rogertin për gjuhë denigruese ndaj mbesës së saj, duke e cilësuar këtë si të papranueshme.

“Ofendimet dhe mënyra si është trajtuar Selin janë të turpshme,” tha ajo, ndërsa bashkëshortja e Rogertit u përgjigj se nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalët e tij.

“Unë nuk kërkoj ndjesë për fjalët e Rogertit, sepse nuk i kam thënë unë,” u shpreh ajo, duke theksuar distancën nga deklaratat e bashkëshortit.

Përplasja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat janë ndarë në mbështetje të dy finalistëve. Ndërsa finalja afrohet, tensionet mes palëve duket se vetëm sa po shtohen, duke e bërë garën edhe më të zjarrtë dhe të ndjekur nga publiku.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*