Një vit pa Shpatin, familja dhe miqtë bëhen bashkë për ta përkujtuar në Tetovë

Më 29 nëntor 2025, muzika shqiptare humbi një nga zërat e saj më të dashur, këngëtarin Shpat Kasapi.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta la pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e vlerësuan për muzikën dhe personalitetin e tij.

Me rastin e njëvjetorit të humbjes së këngëtarit, Blero Muharremi ka ndarë në Instastory njoftimin e familjes Kasapi për organizimin e një mbrëmjeje përkujtimore në nder të tij.

Në fotografinë bardhezi, Shpati shfaqet i buzëqeshur, ndërsa krahas saj familja ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet të dielën, më 29 nëntor, nga ora 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.

“Një vit pa Shpatin. Ju njoftojmë se të dielën, më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, e përkujtojmë Shpatin dhe veprën e tij artistike”, thuhet në njoftimin e familjes Kasapi.

Blero e ka shoqëruar publikimin me dy emoji, duart e bashkuara në shenjë lutjeje dhe një zemër të thyer, duke shprehur kështu dhimbjen për humbjen e kolegut të tij.

Mbrëmja përkujtimore në qytetin e lindjes së këngëtarit pritet të mbledhë familjarë, miq, kolegë dhe artdashës, të cilët do të kujtojnë jetën dhe kontributin e tij në muzikën shqiptare.

Edhe pse një vit pas ndarjes së tij nga jeta, Shpat Kasapi vazhdon të kujtohet përmes këngëve dhe veprës artistike që la pas.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*