Në qytetin e Mardinit ka nisur edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Telkari Odulleri”, i organizuar në kuadër të Festivalit Kulturor “Mardin Kültür Yolu”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.
Ceremonia e hapjes u mbajt në sallën e konferencave të Universitetit Mardin Artuklu, ndërsa prezantimin e aktivitetit e drejtoi ish-modelja, aktorja dhe këngëtarja turke Tuğba Özay.
Në garën e festivalit, nga gjithsej 670 filma të paraqitur, janë përzgjedhur për në finale 20 filma të shkurtër dhe 5 filma artistikë me metrazh të gjatë, të cilët do të vlerësohen nga juria.
Festivali këtë vit zgjat pesë ditë
Kryetari i festivalit dhe producenti Zeki Sincar bëri të ditur se edicioni i këtij viti do të zgjasë pesë ditë, ndryshe nga tre edicionet e mëparshme, të cilat kishin zgjatur nga tri ditë.
Sipas tij, programi do të përfshijë diskutime me publikun, shfaqje artistike dhe pjesë të shkurtra teatrale.
Sincar theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në industrinë e filmit, duke shprehur dëshirën që produksionet filmike dhe serialet që realizohen në Mardin të krijohen gjithnjë e më shumë nga talentet vendase.
Ai nënvizoi se një nga synimet kryesore të festivalit është përgatitja e brezave të rinj të regjisorëve, skenaristëve, shkrimtarëve dhe producentëve.
“Dëshiroj që filmat dhe serialet që xhirohen në Mardin të realizohen nga të rinjtë e këtij qyteti. Synimi im është që të kemi regjisorë, skenaristë, shkrimtarë dhe producentë të rinj”, u shpreh Sincar.

Tuğba Özay: Arti bashkon njerëzit dhe kulturat
Prezantuesja e festivalit, Tuğba Özay, shprehu kënaqësinë që po drejton për herë të katërt këtë aktivitet, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me qytetin e Mardinit.
Ajo vlerësoi rëndësinë e artit si një forcë që bashkon njerëzit, promovon paqen dhe forcon vëllazërimin, duke shërbyer njëkohësisht si mjet për prezantimin e kulturave para botës.
Özay falënderoi të gjithë organizatorët dhe artistët që kontribuuan në realizimin e festivalit.

Mihriban Er: Pesë ditë me filma, takime dhe aktivitete artistike
Drejtoresha e festivalit, aktorja Mihriban Er, kujtoi se vitin e kaluar ishte nderuar me çmimin për arritje jetësore, ndërsa këtë vit ka marrë përsipër drejtimin e festivalit.
Ajo bëri të ditur se programi do të përfshijë shfaqje filmash, takime me aktorë, programe stand-up dhe aktivitete të tjera kulturore.
Ceremonia përmbyllëse do të mbahet më 21 tetor, kur do të ndahen çmimet për arritje jetësore dhe çmimet për filmat konkurrues.
Mihriban Er u bëri thirrje qytetarëve dhe adhuruesve të kinematografisë që të marrin pjesë në aktivitetet e festivalit, duke theksuar se të gjitha ato janë falas.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe artistët Boğaç Aksoy, Adnan Koç, Nilay Toprak, Mahmut Mardinli dhe Yağmur Demircioğlu.
Festivali do të vazhdojë me shfaqje filmash, pjesë teatrale dhe diskutime me publikun, ndërsa përfundimi i tij është paraparë për 21 tetor./Burimi: İhlas Haber Ajansı (İHA), Yozgat Gazetesi./

Leave a Reply