Ribashkimi pas 11 vitesh, dështojnë ‘Mehmet Kosova’ e ‘Sheherzadja’

Seriali me Kenan İmirzalıoğlu dhe Bergüzar Korel do të mbyllet në episodin e pestë të sezonit të dytë, pas rezultateve që nuk arritën pritshmëritë në audiencë.

Për publikun në Kosovë, dy protagonistët janë fytyra më se të njohura. Kenani u bë jashtëzakonisht i famshëm si “Mehmet Kosova” në “Deli Yürek”, ndërsa Bergüzar Korel mbetet për shumë shikues “Sheherzadja” e “Binbir Gece”.

Por kjo nuk ishte hera e parë që ata luanin së bashku. Kenan dhe Bergüzar kishin qenë partnerë në “Karadayı”, ku luanin Mahir Karën dhe Feride Şadoğlun. Pikërisht për këtë arsye, bashkimi i tyre në “A.B.İ.” pas 11 vitesh kishte krijuar pritshmëri të mëdha.

Problemet për serialin, megjithatë, kishin nisur më herët.

“A.B.İ.” e kishte nisur vitin fuqishëm, duke kaluar edhe 11 pikë në rating, por shifrat ranë ndjeshëm gjatë muajve pasues. Me nisjen e sezonit të dytë, produksioni tentoi një ndryshim të madh: Afra Saraçoğlu u largua, historia mori një drejtim tjetër dhe Bergüzar Korel u soll si partnerja e re e Kenan İmirzalıoğlut.

As kjo formulë nuk funksionoi.

Në transmetimin e 22 shtatorit, seriali regjistroi vetëm 3.32 pikë rating, një rënie e madhe krahasuar me shifrat prej mbi 11 pikësh që kishte arritur në fillim të vitit.

Sipas gazetares turke Birsen Altuntaş, pikërisht pas rezultateve të fundit është marrë vendimi që “A.B.İ.” të përfundojë në episodin e pestë të sezonit të ri.

Kështu, as ndryshimi i historisë, as ndryshimi i protagonistes dhe as ribashkimi pas 11 vitesh i dy yjeve të “Karadayı” nuk arritën ta rikthenin serialin në shifrat e dikurshme.

Megjithatë, deri tani ATV dhe kompania e produksionit nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet e mbylljes, ndaj lidhja e vendimit me ratingun bazohet në raportimet e mediave turke. /Prive By Liberta Spahiu

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*