Top Channel ka prezantuar zyrtarisht logon e re të edicionit të gjashtë të “Big Brother VIP Albania”, duke publikuar një video promovuese në rrjetet sociale.
Në videon e shpërndarë në faqen zyrtare të televizionit në Instagram, shfaqet logoja e njohur e formatit, por këtë herë me një pamje të ndryshuar nga sezonet e mëparshme.
Syri karakteristik i “Big Brother” vjen në një kombinim të ngjyrës blu dhe portokalli, me efekte ndriçimi dhe një dizajn më modern. Në qendër të tij ruhet simboli tradicional i formatit, ndërsa pamjet shoqërohen me efekte të akullit dhe xhamit që thyhet.
Videoja përfundon me mbishkrimin “Së shpejti”, duke konfirmuar se përgatitjet për rikthimin e spektaklit janë duke vijuar.
“Big Brother VIP Albania, së shpejti në Top Channel!”, shkruhet në përshkrimin e postimit zyrtar.
Ky është një tjetër sinjal nga produksioni pas publikimit të pak ditëve më parë nga moderatori Ledion Liço, i cili ndau një fotografi me simbolin e spektaklit dhe mbishkrimin “Thonë që ju ka marrë malli…”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të personazheve që mund të bëhen pjesë e edicionit të gjashtë.
Mes tyre janë përmendur Bujar Qamili, Mira Konçi, Robert Berisha, Viola Spiro, Deta Kokomani dhe Fero, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht nga produksioni.
Pavarësisht publikimit të logos së re dhe videos promovuese, Top Channel nuk ka zbuluar ende datën e nisjes së spektaklit apo detaje të tjera për konkurrentët.
Me prezantimin e identitetit të ri vizual, televizioni ka nisur promovimin e sezonit të gjashtë, ndërsa pritet që në vijim të bëhen publike edhe informacionet e tjera për rikthimin e “Big Brother VIP Albania”.


Leave a Reply