‘Prej 3 vitesh pres që fëmijët të më besohen mua’, Drenusha reagon sërish pas rastit të Arlindës

Tragjedia e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë, ka rikthyer në vëmendje historitë e grave që prej vitesh përballen me dhunën në familje dhe betejat e gjata gjyqësore.

Mes tyre është edhe Drenusha Latifi, e cila përmes një postimi në Instagram i është rikthyer historisë së saj personale, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e një vendimi përfundimtar nga drejtësia.

“3 vjet pa asnjë vendim të formës së prerë, 2 gjoba me para dhe një proces i vazhdueshëm për dhunë në familje”, shkruan ajo.

Por ajo që duket se e rëndon më së shumti Drenushën është çështja e kujdestarisë së dy fëmijëve të saj.

“Prej 3 vitesh pres që fëmijët të më besohen mua. I rris e kujdesem vetë për ta, por gjykata ende nuk ma beson kujdestarinë, edhe pse babai i tyre nuk tregon interesim për fëmijët dhe e ka lëshuar shtetin e Kosovës”, shprehet ajo.

Kujtojmë se Drenusha ka folur vazhdimisht publikisht për përvojën e saj me ish-bashkëshortin, Atilla Kardesh, të cilin e ka akuzuar për dhunë fizike dhe psikologjike. Rasti i tyre është trajtuar prej vitesh nga institucionet e drejtësisë, ndërsa Kardesh i ka kundërshtuar akuzat ndaj tij.

Rikthimi i këtij rrëfimi vjen në një moment kur vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mbrojtjen institucionale të grave që denoncojnë dhunën.

Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet dhe kishte urdhër mbrojtjeje në fuqi, por kjo nuk arriti ta shpëtonte nga tragjedia.

Dy histori të ndryshme, por që rikthejnë të njëjtën pyetje: sa gjatë duhet të presë një grua që kërkon mbrojtje dhe drejtësi?

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*