Protesta e sotme në Tiranë, e shoqëruar me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të policisë, ka lënë pas disa të lënduar, mes tyre edhe 28-vjeçarin Erjon Vishkulli.
I riu ka pësuar dëmtime të rënda në sy, pasi dyshohet se është goditur nga një plumb gome gjatë protestës. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka nxitur reagimin e aktorit dhe këngëtarit të njohur Bes Kallaku, i cili përmes një postimi në Instagram ka zbuluar se Vishkulli është mik i tij i afërt.
“Erjoni është miku im, një ndër djemtë më të mirë që kam njohur! Nuk ka dalë në protestë se i mungon diçka, por ka dalë për vlerat patriotike që ka, për mangësitë e këtij vendi që të gjithë ne kemi 30 vjet që i shohim”, ka shkruar Kallaku.
Aktori e ka përmbyllur reagimin me një mesazh shqetësues për gjendjen e mikut të tij, duke shkruar: “Sot është qëlluar me plumb gome në sy dhe ndodhet në gjendje të rëndë!”.
Ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë edhe pretendime se 28-vjeçari mund të ketë humbur syrin e dëmtuar. Megjithatë, ky informacion mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht.
Sipas përditësimit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, Vishkulli ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vazhdon t’u nënshtrohet ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor.
Erjon Vishkulli njihet gjithashtu si pjesëtar i grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe mbështetës i përkushtuar i Kombëtares shqiptare. /Prive By LS/


Leave a Reply