Klipi i Don Xhonit “trazon” Maqedoninë, nacionalistët reagojnë për Makedoniumin

“Sexy Mama” ndez debat në Maqedoninë e Veriut, Don Xhoni reagon pas kritikave.

Don Xhoni është bërë temë e mediave dhe opinionit publik në Maqedoninë e Veriut, por këtë herë jo vetëm për muzikën. Videoklipi i këngës “Sexy Mama” ka hapur debat të madh pasi disa prej skenave janë xhiruar brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, një prej objekteve më të rëndësishme historike dhe memoriale të vendit.

Në këtë kompleks ndodhet edhe varri i Nikola Karevit, presidentit të Republikës së Krushevës gjatë Kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903. Pikërisht përdorimi i këtij ambienti për videoklipin e një kënge të titulluar “Sexy Mama”, si dhe natyra e disa skenave të klipit, kanë nxitur reagime të shumta. Disa media kanë veçuar edhe një moment të xhiruar brenda objektit ku reperi shfaq gishtin e mesëm.

Sipas drejtorit të Muzeut Historik të Krushevës, Miha Oxhaklieski, produksioni kishte kërkuar leje për xhirime dhe hapësira ishte vënë në dispozicion për rreth 500 euro për pesë deri në gjashtë orë. Ai ka sqaruar se skenat me shtretër dhe vallëzim nuk janë realizuar në “Makedonium”, por në lokacione të tjera.

Megjithatë, çështja mori një tjetër dimension pasi drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva, deklaroi për mediat maqedonase se pranë institucionit të saj nuk ishte paraqitur kërkesë për përdorimin e monumentit për këtë videoklip. “Makedonium” është trashëgimi kulturore e mbrojtur, ndaj pikërisht procedura dhe kriteret me të cilat është dhënë hapësira janë kthyer në pjesë të debatit.

Pas gjithë reagimeve, Don Xhoni ka thyer heshtjen përmes një postimi në Instagram.

“Po e shoh që ‘Sexy Mama’ është bërë debat i madh në Maqedoninë e Veriut. Për sqarim, as unë e as ekipi im nuk kemi pasur asnjë qëllim të provokojmë, ofendojmë apo t’ia ulim vlerën ndonjë vendi apo simboli”, shkroi reperi.

Ai theksoi se lokacioni ka qenë vetëm pjesë e skenarit dhe se është përzgjedhur nga produksioni, pa ndonjë mesazh të fshehtë apo synim për të provokuar.

“Unë bëj muzikë. Bëj art. Bëj filma të shkurtër përmes videoklipeve të mia. Asnjë tendencë, asnjë provokim. Vetëm një skenar, një lokacion dhe një projekt artistik”, vazhdoi Don Xhoni.

Reperi shtoi se nuk ka nevojë të krijojë situata të tilla për të marrë vëmendje, duke përfunduar: “Besomëni, vëmendje kam edhe më shumë sesa dua. Nuk kam nevojë për dramë”.

Debati ndërkohë ka marrë përmasa të mëdha në mediat maqedonase, me qëndrime të ndara edhe në publik: një pjesë e konsideron të papërshtatshëm përdorimin e një kompleksi memorial për një projekt të tillë komercial, ndërsa të tjerë i kanë cilësuar reagimet të ekzagjeruara.

Videoklipi ishte xhiruar që në muajin shkurt dhe kënga është publikuar më 2 korrik, ndërsa vetëm tani përdorimi i “Makedoniumit” është kthyer në temë të gjerë debati në Maqedoninë e Veriut. /Prive By LS/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*