Plas për “Mora fjalë”: Naim Gjoshi e heq nga YouTube, kënga kishte dhjetëra miliona shikime
Një nga këngët shqiptare më të njohura të dekadave të fundit është përfshirë në një zhvillim të fortë rreth të drejtave të autorit.
Prive By LS ka verifikuar se “Mora fjalë”, kënga e interpretuar nga Shkurte Fejza dhe kushtuar Adem Jasharit, është hequr nga YouTube pas një kërkese të bërë pikërisht nga autori i saj, Naim Gjoshi.
Mesazhi që shfaq YouTube është i drejtpërdrejtë: videoja nuk është më e disponueshme pasi është hequr pas një kërkese për të drejtat e autorit nga Naim Gjoshi.
Dhe nuk bëhet fjalë për një këngë me pak shikime.
Sipas të dhënave ende të indeksuara nga YouTube, publikimi zyrtar i “Mora fjalë” i vitit 2015 kishte arritur 32,955,180 shikime, ndërsa një tjetër version zyrtar i publikuar në vitin 2020 kishte grumbulluar 14,632,792 të tjera. Vetëm këto dy publikime së bashku kalojnë 47.5 milionë shikime.
Por ajo që e bën zhvillimin edhe më interesant është fakti se Gjoshi e kishte paralajmëruar një situatë të tillë prej vitesh.
Autori i tekstit dhe muzikës ka folur publikisht për pakënaqësitë e tij lidhur me përfitimet nga kënga, ndërsa debati kishte shpërthyer fuqishëm në vitin 2023, kur “Mora fjalë” u rikthye në qendër të vëmendjes pasi mijëra tifozë e kënduan njëzëri në stadium. Në atë kohë, Gjoshi dhe Shkurte Fejza u përballën publikisht edhe në studio për historinë e këngës dhe autorësinë e saj.
Pavarësisht debatit, Gjoshi atëherë i kishte dhënë merita të mëdha Fejzës, duke thënë se edhe pse kënga ishte interpretuar nga rreth 50 këngëtarë, “vulën” asaj ia kishte vënë pikërisht Shkurte Fejza.
Çështja megjithatë nuk u mbyll. Vetëm disa muaj më parë, në maj të këtij viti, avokati Evien Dako foli publikisht për rastin e Gjoshit dhe pretendimin se autori nuk merr të ardhura nga përdorimi i “Mora fjalë”.
Tani situata ka kaluar nga deklaratat te veprimi konkret: një publikim i këngës me miliona shikime nuk mund të shihet më në YouTube dhe vetë platforma e lidh heqjen drejtpërdrejt me kërkesën e Naim Gjoshit.
Mbetet për t’u parë nëse ky është vetëm fillimi i një beteje më të madhe për të drejtat e “Mora fjalë”, apo palët do të gjejnë një marrëveshje që do ta rikthejë këngën në platformë.

Leave a Reply