Olta dhe Luizi sërish nën të njëjtën “çati”, rikryqëzimi që ndau ndjekësit

Një rikthim që po zgjon menjëherë kujtimet e një prej rivaliteteve më të komentuara të “Big Brother VIP Albania”.

Top Channel konfirmoi dje se Olta Gixhari do të jetë në krye të sezonit të ri të “Fiks Fare” së bashku me Dorian Ramaliun, duke shënuar rikthimin e aktores në ekranin e televizionit ku publiku e ndoqi në një prej periudhave më të komentuara të karrierës së saj.

Por Olta nuk është emri i vetëm i BBV2 që rikthehet këtë sezon në Top Channel. Vetëm pak ditë më parë televizioni publikoi edhe promon e “Live me Luizin”, programit të ri të Luiz Ejllit, i cili do të vijë me një format javor në prime time.

Dhe kaq mjaftoi që në rrjet të rikthehej menjëherë “Olta kundër Luizit”.

Një pjesë e ndjekësve e kanë pritur me nostalgji faktin që dy prej personazheve që dominuan BBV2 do të jenë sërish pjesë e të njëjtit sezon televiziv, ndërsa të tjerë nuk e kanë parë me të njëjtin entuziazëm këtë rikryqëzim.

“Kjo shkon vrap pas Luizit akoma”, “Nuk e di si duron Kiara”, “Sa super që do jenë kolegë sërish”, “Dyshe e papërsëritshme”, janë vetëm disa nga komentet e ndjekësve në rrjet.

Rivaliteti i tyre në shtëpinë e “Big Brother VIP 2” ishte një prej boshteve kryesore të atij edicioni, deri në largimin vullnetar të Oltës më 1 prill 2023. Por rrugët e tyre u kryqëzuan sërish vetëm pak muaj më vonë, këtë herë larg reality show-t, kur u bënë protagonistë të filmit “Në kuadër të dashurisë”, ku luajtën madje si çift.

Tani, mbi tre vjet pas atij Big Brother-i që i vendosi në dy kampe të kundërta të publikut, Olta dhe Luizi rikthehen sërish nën të njëjtën çati televizive. Jo në të njëjtin program dhe jo si rivalë të drejtpërdrejtë, por mjaftueshëm afër që rrjeti të rikthejë një nga dyshet më të komentuara të viteve të fundit. /Prive By Liberta Spahiu

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*