Një urim ditëlindjeje i Kader Kicajt për gjyshen e saj ka rikthyer në vëmendje një nga pjesët më të ndjeshme të historisë së ish banores së Big Brother VIP Kosova. Për Kaderin, ajo nuk ka qenë vetëm gjyshe, por gruaja që praktikisht ka marrë rolin e nënës që në muajt e parë të jetës së saj.
“Për të tjerët je thjesht gjyshe, por për mua je shumë më tepër. Ti je personi që më ka mbajtur në krahë që kur isha vetëm dy muajshe, që më ka rritur, më ka falur dashuri dhe më ka dhënë atë ngrohtësi që çdo fëmijë ka nevojë”, ka shkruar Kader në dedikimin e saj.
Pesha e këtyre fjalëve kuptohet edhe më shumë kur rikthehet rrëfimi që ajo kishte bërë në dhjetor të vitit 2023 brenda Big Brother VIP Kosova 2. Kader tregonte atëherë se nëna ishte larguar nga jeta e saj kur ajo ishte vetëm dy muajshe, ndërsa motra rreth një vjeçe. Me babanë që në atë periudhë ndodhej jashtë vendit, ishin gjyshja dhe gjyshi ata që morën përsipër kujdesin për dy vajzat.
Në atë rrëfim, Kader e kishte përshkruar gjyshen si “shtyllën e jetës” së saj, duke treguar se ishte pikërisht ajo që i qëndroi pranë, e edukoi dhe e rriti. Historia e fëmijërisë së saj kishte edhe kapituj shumë më të vështirë. Pas martesës së dytë të të atit, Kader pretendonte se raporti me njerkën kishte qenë i rëndë dhe se ajo dhe motra kaluan periudha të dhimbshme. Madje kishte treguar se si, si fëmijë, një kukull e quante “nënë”, ndërsa në adoleshencë kishte kaluar një krizë shumë të rëndë emocionale për shkak të mungesës së figurës së nënës.
Pikërisht për këtë arsye, urimi i sotëm për gjyshen është shumë më tepër sesa një dedikim ditëlindjeje.
“Jeta ime do të ishte krejt ndryshe pa ty. Nuk do t’i harroj kurrë sakrificat e tua, netët pa gjumë, kujdesin dhe çdo gjë që ke bërë për mua”, ka shkruar Kader, duke i premtuar se dëshiron që tashmë të jetë ajo që e bën krenare.
Ajo e ka mbyllur dedikimin me një dëshirë të vetme: ta ketë gjyshen pranë edhe për shumë vite. “Faleminderit që je gjyshja ime. Të dua me gjithë zemër”, janë fjalët e Kaderit për gruan që, siç ka treguar vetë ndër vite, për të ka qenë njëkohësisht edhe gjyshe, edhe nënë.
Pas gjithë historisë së saj familjare, fotografia dhe fjalët e ditëlindjes marrin kështu një tjetër kuptim: janë falënderimi publik i Kaderit për gruan që e mori në krahë vetëm dy muajshe dhe u bë figura më e rëndësishme e fëmijërisë së saj. /Prive By Liberta Spahiu


Leave a Reply