Në fshehtësi totale! Fero bëhet baba për herë të dytë!

Reperi i njohur Fero ka nisur një kapitull të ri e të rëndësishëm në jetën e tij personale, duke u bërë baba për herë të dytë, larg syrit të publikut dhe vëmendjes mediatike.

Pas ndarjes nga ish-bashkëshortja, modelja Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë të quajtur Nina, artisti prej kohësh ka nisur një romancë me një vajzë jo-publike të quajtur Nita.

Kohët e fundit, mungesa e postimeve të përbashkëta dhe dalja e tyre nga radari i rrjeteve sociale bëri që të aludohej për një ndarje të mundshme të çiftit.

Megjithatë, e vërteta paska qenë krejt ndryshe. Dyshja e ka shijuar këtë periudhë në fshehtësi të plotë dhe, sipas burimeve të konfirmuara nga “Prive”, Fero dhe Nita sapo janë bërë prindër.

Vetë reperi ka zgjedhur të mos bëjë asnjë reagim publik lidhur me këtë lajm të gëzueshëm nga jeta e tij private.

Nga ana tjetër, ndërkohë që jetën familjare po e mban hermetike, Fero ka vendosur të thyejë heshtjen për sa i përket karrierës muzikore.

Përmes një postimi të gjatë dhe mjaft të sinqertë në InstaStory, ai ka zbuluar vështirësitë me të cilat është përballur gjatë vitit të fundit dhe ka premtuar një rikthim masiv me energji të reja.

“Gjatë vitit të kaluar, kam pasur vështirësi të publikoj muzikën që kam shkruar prej kaq kohësh — qoftë nga moskujdesi për veten, turnetë e tepërta, mbingarkesa, apo edhe përballja me çështje të komplikuara ligjore.

Por muzika është pasioni im, dhe pavarësisht se si ndihesha, kam vazhduar të shkruaj çdo ditë,” rrëfen ai në postimin e tij.

Për t’i shpërblyer fansat për durimin, Fero ka zbuluar strategjinë e tij të re, duke i lënë të gjithë në pritje të projekteve të njëpasnjëshme:

“Tani kam arritur në një pikë këtë vit ku e gjithë kjo do të shohë dritën e diellit… Kështu që, duke nisur që tani, do të publikoj një këngë çdo dy javë — dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që kam planifikuar për këtë vit.”

Me një fëmijë të ri në jetën e tij dhe një “ushtri” me këngë të reja gati për publikim, duket se ky vit do të shënojë një epokë krejtësisht të re dhe tejet të ngarkuar për reperin.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*