Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë hapat e radhës procedurale ndaj këngëtarit të njohur Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik “Gjesti”. Institucioni i akuzës ka dorëzuar zyrtarisht në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, shkruan Betimi për Drejtësi.
Ndalimi i artistit u bë të mërkurën, pas një aksioni të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë. Sipas njoftimit zyrtar, ai po hetohet nën dyshimet për përfshirje në tri vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lajmin lidhur me kërkesën për masën e sigurisë e ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Sipas informacioneve të fundit, seanca dëgjimore ku do të shqyrtohet kjo kërkesë pritet të mbahet ditën e nesërme, duke filluar nga ora 09:30.
Aktualisht, këngëtari ndodhet nën masën e ndalimit policor prej 48 orësh. Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se është duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti.

Leave a Reply