Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat, ja çfarë thonë shkencëtarët

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se gratë nuk janë të vetmet që gëzojnë jetë më të gjatë se burrat , ky avantazh i femrave në jetëgjatësi është i pranishëm edhe te shumë specie të tjera në botën e kafshëve.

Sipas kërkimeve të publikuara në revistën prestigjioze Science Advances, arsyeja mund të qëndrojë më thellë sesa stili i jetesës: evolucioni luan një rol kyç.

Ekspertët zbuluan se tek 72% e specieve të gjitarëve, femrat jetonin mesatarisht 12% më gjatë se meshkujt.

Sipas studiuesve, ky hendek jetëgjatësie është i lidhur me një kombinim faktorësh: gjenetikë, zgjedhje seksuale, përkujdesje prindërore dhe mjedis.

Një rol të rëndësishëm luajnë kromozomet seksuale: tek gjitarët, femrat kanë dy kromozome X, çka u jep atyre një avantazh në mbrojtjen kundër mutacioneve të dëmshme. Ndërsa meshkujt kanë një X dhe një Y, që i bën më të ndjeshëm ndaj problemeve gjenetike.

Por studimi thekson se kromozomet nuk janë i vetmi shpjegim. “Disa specie treguan të kundërtën e modelit të pritur”, tha Johanna Stärk, studiuese në Institutin Max Planck në Gjermani dhe autorja kryesore e studimit. Ajo përmend si shembull zogjtë grabitqarë, ku femrat janë më të mëdha dhe jetojnë më gjatë se meshkujt.

Gratë në të gjithë globin zakonisht jetojnë më gjatë se burrat – diçka që shpesh i atribuohet dietës më të shëndetshme, kujdesit ndaj vetes dhe shmangies së sjelljeve të rrezikshme. Por ky studim tregon se avantazhi i femrave është më shumë biologjik se sa kulturor.

Në total, studiuesit analizuan 1,176 specie, duke përfshirë shimpanzetë, brejtësit, drerët dhe shumë lloje zogjsh – si në natyrë ashtu edhe në kopshte zoologjike. Edhe në mjedise të kontrolluara, femrat ruajtën avantazhin e jetëgjatësisë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*