Një përplasje e fortë ligjore dhe publike po zhvillohet mes Neda Ballukut dhe ish-partnerit të saj, Ogren Balluku, sa i përket takimeve me fëmijët e tyre të mitur.
Neda pretendon se prej më shumë se një viti nuk ka mundësi të takojë dy djemtë e saj, pavarësisht marrjes së një vendimi nga gjykata që përcakton të drejtën e takimeve.
Nga ana tjetër, Ogren Balluku i ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se trajtimi i kësaj çështjeje në media po dëmton të miturit.
Çështja është bërë publike përmes emisionit investigativ Fiks Fare, ku Neda i është drejtuar redaksisë për të denoncuar veprimet e Zyrës Përmbarimore Vendore të Tiranës. Nëna e fëmijëve pretendon se e ka zbatuar vullnetarisht prej një viti vendimin për takimet e babait me vajzën e tyre të vogël, por megjithatë është gjobitur për mosekzekutim të vendimit.
Dokumentacioni i paraqitur përmban ankesa, komunikime dhe pamje filmike që, sipas saj, provojnë dorëzimin e fëmijës në banesën e të atit.
Gjatë procesit janë paraqitur edhe dy raporte psikologjike me përfundime të ndryshme. Raporti i parë, i hartuar nga psikologia e caktuar nga gjykata, evidenton elemente të alienimit prindëror dhe ndikimin e babait në marrëdhënien e djemve me nënën.
Në anën tjetër, një vlerësim i dytë psikologjik, i kërkuar nga përmbaruesja Anxhela Doleqi me kërkesë të babait, nuk ka evidentuar këto elemente. Gjykata ka sqaruar se nuk kishte kërkuar një informacion të tillë shtesë dhe se vendimi i përkohshëm duhej të zbatohej.
Debatet kanë përfshirë edhe brendinë e zyrës përmbarimore. Pas kërkesës së Nedës për zëvendësimin e përmbarueses, drejtuesi i institucionit kishte urdhëruar kalimin e dosjes nga Anxhela Doleqi te përmbaruesja Mikeda Cenaj, por sipas dokumenteve, Doleqi ka refuzuar dorëzimin e saj. Më tej, më 29 tetor 2026, përmbaruesja Suela Ndreca ka vendosur gjobë ndaj nënës në të njëjtën ditë kur ajo ishte paraqitur për të deklaruar zbatimin vullnetar të vendimit.
Gjatë një paraqitjeje tjetër më 12 nëntor, përmbaruesja i është drejtuar Nedës me fjalët: “Duhet ta sjellësh fëmijën ku të urdhëroj unë”. Kur është pyetur nga gazetarët për arsyet e gjobës, përmbaruesja ka refuzuar të përgjigjet duke thënë: “S’dua të flas”.
Nga ana e tij, Ogren Balluku ka mohuar pretendimet e ish-partneres, duke sqaruar se nuk e kishte takuar vajzën për një muaj dhe se kjo e kishte detyruar t’i drejtohej përmbarimit.
Ai ka refuzuar akuzat për alienim prindëror duke u bazuar te raporti i dytë psikologjik. Gjatë komunikimit me gazetarët, ai ka bërë edhe një deklaratë të fortë ndaj Nedës, duke u shprehur se “ajo ka dështuar si nënë”. Konflikti mes prindërve vazhdon ndërsa në qendër të çështjes mbeten tre fëmijët e tyre të mitur.
Kujtojmë se edhe më parë avokatja e Nedës kishte ngritur akuza publike për moszbatimin e vendimit gjyqësor nga ana e përmbarimit në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve.


Leave a Reply