Aktorja e njohur turke, Neslihan Atagül, e cila rrëmbeu zemrat e publikut me rolin e Nihanit në serialin e famshëm “Kara Sevda” (Dashuri e Pafund), ka tërhequr sërish vëmendjen me një intervistë të fundit.
Gjatë një prononcimi për mediat turke, në kuadër të prezantimit të librit të saj, aktorja foli për rikthimin në ekran me projektin e ri “Kaderin Cilvesi”, duke zbuluar se është shumë e emocionuar për personazhin që do të interpretojë.
Megjithatë, një nga momentet më interesante të intervistës ishte kur gazetari i përmendi suksesin e jashtëzakonshëm që seriali “Kara Sevda”, ku ajo luajti përkrah Burak Özçivit, vazhdon të ketë në Rusi.
Gazetari i tregoi se seriali është bërë aq i dashur për publikun rus, sa disa prindër kanë nisur t’u vendosin fëmijëve emra të frymëzuar nga personazhet e tij.
E befasuar nga ky informacion, Neslihani reagoi menjëherë duke pyetur: “Vërtet?!”
Kur gazetari ia konfirmoi, aktorja nuk e fshehu kënaqësinë, duke u shprehur: “Shumë bukur, sa bukur!”
Gjatë bisedës u përmendën edhe emrat Nihan dhe Kemal, dy personazhet kryesore të serialit që vazhdon të kujtohet nga publiku edhe shumë vite pas përfundimit të tij.
Kujtojmë se “Kara Sevda” ishte një nga serialet turke më të suksesshme ndërkombëtarisht, ndërsa historia e dashurisë mes Nihanit dhe Kemalit vazhdon të mbetet ndër më të pëlqyerat e shikuesve.
Reagimi spontan i Neslihanit tregoi se edhe vetë aktorja u surprizua kur mësoi se sa shumë gjurmë ka lënë seriali te publiku rus.


Leave a Reply