Prej disa ditësh, gazetari Elton Tozaj, i njohur për denoncimet e tij të bujshme nuk po mund të kontaktohet, duke ngritur shqetësime serioze për vendndodhjen dhe sigurinë e tij.
Sipas verifikimeve të Prive By LS, Tozaj ka qenë për herë të fundit i qasshëm pasditen e së hënës, ndërsa që nga e marta, kontaktet me të janë ndërprerë. Telefoni i tij raportohet të jetë i fikur dhe gazetari nuk është shfaqur më publikisht.
Prej kohësh, Tozaj raportohet se qëndron në një nga shtetet evropiane, ndërsa vendndodhja e tij aktuale mbetet e paqartë.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të ngjarjeve të fundit.
Vetëm një javë më parë, më 5 nëntor, Tozaj raportoi se ishte sulmuar brutalisht nga disa persona. Ai publikoi fotografi ku shfaqej i gjakosur dhe me kokën e fashuar.
Madje, në një rrëfim televiziv, pretendoi se agresorët kishin tentuar ta fusnin me forcë në një furgon, por ndërhyrja e banorëve kishte penguar një gjë të tillë.
Tashmë, pas humbjes së kontakteve, alarmin publik e kanë ngritur edhe Elton Ilirjani dhe Ilir Vrenozi.
Ndërkohë, Ilir Vrenozi ka treguar se përpjekjet për të kontaktuar gazetarin kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ai ka zbuluar se Tozaj, në transmetimin e fundit të së hënës, kishte paralajmëruar publikimin e materialeve me akuza të reja, por dalja e paralajmëruar për të martën nuk ndodhi kurrë.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar për zhdukjen apo rrëmbimin e tij dhe nuk dihet nëse mungesa e kontakteve lidhet me sulmin e fundit.
Por pyetja që tashmë po ngrihet është vetëm një:
Ku ndodhet Elton Tozaj dhe a është ai i sigurt?


Leave a Reply