Aktori i njohur i humorit, Jul Deda, ka zbuluar për herë të parë një detaj interesant lidhur me të ardhurat e tij në Top Channel, duke treguar se sa paguhej në vitin 2005, kur ishte pjesë e “Portokalli”.
I ftuar në emisionin “Andale”, aktori ka folur për pagesat në industrinë televizive, duke bërë një krahasim mes kushteve financiare të asaj kohe dhe situatës së sotme.
Sipas tij, në vitin 2005, Top Channel ofronte pagesa mjaft të mira për artistët, veçanërisht në raport me nivelin e pagave dhe koston e jetesës në atë periudhë.
“Duhet të bëjmë një dallim të vogël. Pagesat që ne kemi marrë në vitin 2005 në Top Channel, për kohën, kanë qenë jashtëzakonisht të mira. Në 2005 kam marrë 3 milionë lekë të vjetra të ardhura mujore. Por që të kuptohemi, kjo s’ka të bëjë me sot”, u shpreh Jul Deda.
Shuma që aktori përmend është e barabartë me 300 mijë lekë të reja në muaj, një pagesë e konsiderueshme për vitin 2005, kur pagat mesatare në Shqipëri ishin shumë më të ulëta se sot.
Gjatë bisedës, Deda theksoi se kjo shumë duhet parë në kontekstin ekonomik të asaj periudhe dhe jo se sa paguan sot Top-Channel.
Nga mënyra se si e bëri krahasimin, aktori la të kuptohej se pagesat aktuale në televizion nuk janë domosdoshmërisht aq të favorshme sa ishin atëherë, megjithëse nuk zbuloi një shifër konkrete për të ardhurat e tij të fundit.
Kujtojmë se Jul Deda ka qenë për vite me radhë pjesë e Top Channel, ku ka marrë pjesë në projekte të njohura humoristike dhe së fundmi ka drejtuar edhe emisionin investigativ “Fiks Fare”.
Pak kohë më parë, gjatë një tjetër deklarate në “Andale”, aktori tregoi se largimin nga drejtimi i “Fiks Fare” e kishte mësuar fillimisht përmes portaleve, ndërsa vetëm më pas ishte kontaktuar nga drejtuesit e televizionit.
Deklarata e fundit e tij sjell në vëmendje edhe ndryshimet që ka pësuar tregu televiziv shqiptar gjatë dy dekadave të fundit, veçanërisht në lidhje me pagesat e artistëve dhe figurave të njohura të ekranit.


Leave a Reply