Akuza të rënda për komentet e 10 viteve më parë, reagojnë nga jashtë të afërmit e Jonës së BBVK 5

Banorja e “Big Brother VIP Kosova 5”, Jona Krasniqi, është përfshirë në një polemikë në rrjetet sociale, pasi kanë nisur të qarkullojnë disa komente të vjetra, të cilat dyshohet se janë shkruar prej saj rreth dhjetë vjet më parë.

Lidhur me këto pretendime, ka ardhur një reagim i gjatë përmes llogarisë zyrtare të Jonës në Instagram, ku janë dhënë sqarime për rrethanat në të cilat pretendohet se janë bërë komentet.

Sipas reagimit, gjithçka lidhet me një ngjarje të ndodhur kur Jona ishte rreth 20 vjeçe. Aty pretendohet se një person kishte krijuar fotografi të rreme intime të saj, të cilat më pas ishin shpërndarë publikisht dhe i ishin dërguar edhe familjes.

Në deklaratë thuhet se kjo kishte qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për Jonën, e cila, sipas tyre, kishte bërë edhe kallëzim penal në polici ndaj autorit fillimisht të panjohur.

Më tej, në reagim pranohet se Jona kishte shkruar komente fyese ndaj personit që, sipas deklaratës, qëndronte pas krijimit të fotografive të manipuluara.

“Po, është e vërtetë që nga lëndimi i saj ka pas komente me fyerje ndaj këtij personi”, thuhet ndër të tjera në reagim, ku theksohet se në atë kohë ajo ishte shumë e re dhe e prekur emocionalisht nga situata.

Personat që kanë reaguar në emër të saj kanë kujtuar gjithashtu qëndrimet feministe të Jonës, duke theksuar se ajo gjithmonë ka mbrojtur të drejtën e grave për të jetuar të lira dhe të pavarura.

Në fund, ata kanë kritikuar ashpërsinë e reagimeve ndaj banores, duke vënë në pikëpyetje rikthimin e komenteve të shkruara më shumë se një dekadë më parë.

Megjithatë, pretendimet lidhur me fotografitë e manipuluara dhe procedurat e përmendura ligjore nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, Jona vazhdon qëndrimin e saj brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova 5”, ndërsa reagimi është publikuar nga jashtë përmes llogarisë së saj në Instagram.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*