Moderatorja Neda Balluku ka ndarë një mesazh thellësisht emocional për dy djemtë e saj, Zain dhe Serzhin, duke rrëfyer publikisht dhimbjen që përjeton prej kohësh, teksa thotë se nuk ka mundur të jetë pranë tyre.
Përmes një shkrimi të gjatë në Instagram, ajo ka përshkruar pritjen, boshllëkun dhe mallin e një nëne, në një postim që tërheq vëmendjen për sinqeritetin dhe ngarkesën e tij emocionale.
“Kur çunat nuk vijnë, mosha ime ndalet. Çdo rrudhë shfrytëzon ajrin që mungon dhe veten ripërtërin. Papritur unë jam më e re, më e vogël, më e dobët, më e brishtë, por më e lodhur, më në pritje, më e humbur dhe më pa shpresë. E megjithatë, ende nënë”, shkruan Neda, duke përshkruar gjendjen e saj përmes fjalëve që përcjellin një dhimbje të thellë.
Në rrëfimin e saj, moderatorja ndalet edhe te detajet e vogla që i mungojnë më shumë: buzëqeshja e Zait kur e sheh dhe shprehjet e fytyrës së Serzhit, të cilat i kujtojnë ngjashmërinë e të birit me të ëmën.
“Se nuk kam si të kem lexuar kur çunat nuk vijnë, dhe unë nuk lexoj dot shprehitë e fytyrës së tyre. Buzëqeshjen e pavullnetshme të Zait sapo më sheh dhe luftën që nis me veten për ta përmbajtur. Apo ngrysjen e vetullave të Serzhit, tërësisht gjurmë flagrante e ngjashmërisë që ka me nënën e tij”, vijon ajo.
Për Nedën, mungesa e fëmijëve nuk është thjesht një boshllëk në përditshmëri, por një pritje që ndikon edhe në mënyrën se si e përjeton kohën. Ajo tregon se përballet edhe me këshilla nga të tjerët, të cilët i thonë të mos i bëjë publike ndjenjat e saj, por zgjedh të mos e fshehë atë që po përjeton.
“Kur çunat nuk vijnë, të tjerët më pyesin se çfarë po pres. Të tjerët më thonë mos e shkruaj atë që ndjen. Të tjerët më thonë të tjera gjëra. Por askush dhe asgjë nuk vlen as sa çunat, qoftë edhe kur nuk vijnë. Edhe mungesa e tyre është prani”, shprehet moderatorja në fund të mesazhit.

Leave a Reply