Eli Malaj publikoi mbrëmjen e djeshme projektin e saj më të ri muzikor, “Gelem Gelem”, i cili brenda pak orësh ka marrë vëmendje në YouTube. Sipas të dhënave që shfaqen në platformë, kënga ka kaluar 81 mijë shikime.
Por projekti duket se ka nxitur edhe reagime për shkak të pranisë së flamurit rom në videoklip, duke bërë që këngëtarja të marrë mesazhe të shumta nga ndjekësit.
Pas komenteve, Eli ka zgjedhur të sqarohet publikisht përmes Instagramit.
“E shoh që jeni prek shumë nga flamuri rom e më keni nis SMS pa fund. Unë jam shqiptare e një flamur që e respektoj nuk ma ndryshon etninë, s’ma prek identitetin e as më bën më pak shqiptare”, është shprehur ajo.
Këngëtarja ka shtuar se vazhdon të ndihet njësoj dhe se respekti ndaj njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre, nuk cenon identitetin e saj.
“Unë i dua njerëzit me krejt ngjyrat e veta, mjafton me pas zemrën e mirë”, ka shkruar ndër të tjera Malaj, duke theksuar se për të mirësia nuk njeh dallime feje, ngjyre apo kombi.
“Gelem Gelem” njihet gjerësisht si himni ndërkombëtar i romëve, çka shpjegon edhe simbolikën e përdorur në projektin e ri të këngëtares.


Leave a Reply