Zbulohet arsyeja që fshihet pas largimit të Jonidës nga moderimi i BBVK

Jonida Vokshi nuk do të rikthehet në moderimin e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Pas katër sezonesh në krye të spektaklit, moderatorja ka vendosur të bëjë një pauzë, ndërsa arsyen e vendimit e ka shpjeguar vetë përmes një postimi në Instagram.

Vokshi tregoi se BBVK ka qenë pjesë e disa prej viteve më intensive të jetës së saj, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Gjatë këtij rrugëtimi ajo ka kaluar nga shtatzënia te humbja e të atit, ndërsa formati i ka sjellë njëkohësisht emocione dhe një lidhje të veçantë me publikun.

Këtë herë, megjithatë, moderatorja ndien nevojën të ngadalësojë ritmin dhe të jetë më pranë familjes. Dy fëmijët e saj janë një nga arsyet kryesore që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.

“Dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar Jonida, duke shpjeguar dëshirën për t’u kushtuar më shumë kohë atyre.

Krahas familjes, ajo dëshiron të përqendrohet edhe te disa projekte personale që i ka menduar prej kohësh. Për këtë arsye, largimi nga BBVK nuk duket se nënkupton tërheqjen e saj nga televizioni apo nga angazhimet profesionale.

Vetë Jonida ka lënë të hapur edhe mundësinë e një rikthimi në të ardhmen. “Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, shkroi ajo, duke e cilësuar vendimin më shumë si një pauzë sesa si një lamtumirë përfundimtare.

Në fund, moderatorja i uroi suksese Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit për edicionin e ri. Ndërkohë, pas largimit të saj, mbetet ende për t’u zbuluar se kush do t’i bashkohet Alaudinit në drejtimin e “Big Brother VIP Kosova 5”.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*