Këngëtari i njohur Labinot Rexha vazhdon të jetë mjaft i revoltuar me cilësinë e dobët të punimeve në shtëpinë e tij.
Disa ditë pasi u shfaq duke thyer fasadën dhe pllakat e vendosura në mënyrë jo profesioniste nga punëtorët, ai është shfaqur sërish me një apel të fortë për publikun.
Përmes një videoje të re ku shihet afër murit të shtëpisë, Labi ka paralajmëruar veçanërisht bashkatdhetarët në diasporë që të tregohen tejet të kujdesshëm me molerët dhe mjeshtërit që angazhojnë. Sipas tij, shumë prej tyre nuk e bëjnë punën siç duhet e madje dështojnë plotësisht në izolimin e duhur të shtëpisë.
Këngëtari tregoi se pasi ka marrë vetë inisiativën për të kontrolluar me detaje çdo punim që po bëhet, ka zbuluar probleme të shumta. “Kam gjetur 1 miliard gabime”, është shprehur ai i revoltuar gjatë kontrollit të shtëpisë.
Gjatë videos, teksa prek e shtyn me dorë murin e shtëpisë, Labi vë në dukje mangësitë skandaloze të punimit: “Shikoni, brenda as nuk kanë bërë izolim e as nuk kanë vendosur rrjetën, po lëviz komplet”.
Ai u bëri thirrje mërgimtarëve që të mos u besojnë verbërisht premtimeve dhe të mos paguajnë pa u siguruar më parë për cilësinë e punës.

Leave a Reply