Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e akuzuar për fshehje të të ardhurave më shumë se një herë. Sipas organit të akuzës, hetimet kanë evidentuar depozitime të konsiderueshme parash cash dhe transaksione për blerje pasurish të paluajtshme, burimet e të cilave nuk janë justifikuar plotësisht me të ardhurat e deklaruara.
Nga ekspertiza kontabël, për vitin 2023 janë llogaritur 2 milionë e 417 mijë e 311 lekë detyrime tatimore të shmangura, ndërsa për vitin 2024, 3 milionë e 658 mijë e 210 lekë. Në total, shuma e llogaritur nga ekspertiza arrin në 6 milionë e 75 mijë e 521 lekë.
Gjatë hetimeve, Myrtezaj ka deklaruar se paratë vinin nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur i justifikonte ato vetëm pjesërisht. Dosja tashmë i është dërguar gjykatës për shqyrtim. Akuza është pretendim i Prokurorisë dhe çështja do të vendoset nga gjykata.


Leave a Reply