Nëntë persona, shtatë meshkuj dhe dy femra, janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë dhe Obiliq.
Në mesin e të arrestuarve, sipas raportimeve të IndeksOnline, është edhe këngëtarja Ariana Plakici, e njohur për publikun edhe si ish-banore e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”.
Sipas njoftimit të Policisë, gjashtë nga të dyshuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa tre të tjerë janë shtetas të Gjermanisë.
Të dyshuarit, që dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, pretendohet se kanë përdorur qendrat e thirrjeve për të kontaktuar dhe mashtruar shtetas të huaj. Gjatë kontrolleve, në pajisjet kompjuterike janë gjetur të dhëna të personave të huaj.
Policia ka kryer kontrolle në katër lokacione, ku ka konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të memories së jashtme (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për nëntë të dyshuarit, të cilët dyshohen për veprën penale të mashtrimit përmes qendrave të thirrjeve.
Rasti është në procedurë, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarve duhet të përcaktohet nga organet e drejtësisë. /Prive By LS


Leave a Reply