“Për studentët”/ VIP-at shqiptarë bëhen bashkë: “Do ta largojmë Edi Ramën!”

Protestat studentore dhe përplasjet me policinë në Tiranë kanë sjellë reagime të shumta edhe nga personazhet e njohur të ekranit dhe muzikës shqiptare.

Këngëtarë, aktorë dhe moderatorë kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur qëndrimet e tyre, duke kërkuar ndalimin e dhunës dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve.

Një ndër reagimet më të drejtpërdrejta ka ardhur nga Elvana Gjata, e cila ka dënuar përdorimin e forcës ndaj të rinjve dhe ka shprehur mbështetjen për protestuesit.

“Dhuna ndaj të rinjve duhet të ndalet menjëherë! Kushdo që dhunon, do ta mbajë përgjegjësinë!”, shkruan këngëtarja, duke shtuar se përdorimi i forcës nuk do ta ndalë protestën, por vetëm do ta rrisë mbështetjen për të.

Edhe Olta Gixhari ka reaguar me një mesazh të fortë, duke shprehur shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve dhe situatën në vend.

“Mjaft më po vrisni fëmijët tanë! Në fillim i fikët ëndrrat, i shuat shpresën dhe tani kërkoni t’i merrni dhe jetën! Boll më”, shkruan aktorja. Ajo thekson se qytetarët kanë 136 ditë që kërkojnë të dëgjohen, ndërsa bën thirrje që zëri i tyre të merret parasysh.

Bora Zemani ka shpërndarë pamje nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë, të shoqëruara me një apel për ndalimin e dhunës.

“Stop kësaj marrëzie! Mjaft më! Më dhemb shpirti të shoh këtë shkatërrim, këtë urrejtje, këtë luftë shqiptari me shqiptarin!”, shprehet moderatorja, duke kërkuar reagim dhe zgjidhje urgjente përpara se situata të përshkallëzohet më tej.

Ndërkohë, Ronela Hajati ka rishpërndarë një video nga protestat, ku shfaqet një mesazh për momentin kur policia ndjek protestuesit për t’i dhunuar.

Xhensila Myrtezaj ka zgjedhur një mesazh të shkurtër, por të drejtpërdrejtë: “Asnjë kolltuk nuk vlen sa jeta e një shqiptari! Stop vëllavrasjes”.

Nga ana tjetër, Capital T u ka bërë thirrje mediave të Kosovës që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke kërkuar raportim të pavarur dhe dokumentim të çdo shkeljeje të mundshme të të drejtave të qytetarëve.

Edhe Bes Kallaku ka reaguar, duke kritikuar kolegët artistë që, sipas tij, kanë zgjedhur të heshtin përballë situatës.

“Po sot, mor, ku jeni? Sot që nuk po thyhen xhama, por kocka? Sot që janë lënduar fizikisht të rinj e të reja, të rritur e të moshuar?”, shkruan ai, duke kujtuar se artistët kanë përgjegjësi ndaj publikut që i ka mbështetur.

Një mesazh kritik ka ardhur edhe nga Armaldo Kllogjeri, i cili shkruan: “Kur të blen pushteti, vështirë t’i dalësh kundër! Dhe kur të thërret pushteti të hidhesh në aksion, je i detyruar t’i përgjigjesh!”.

Gentian Zenelaj ka shprehur zhgënjimin për përplasjet mes shqiptarëve, duke shkruar: “Kam 35 vjet që shoh shqiptarin të dhunojë shqiptarin për një politikë që s’ka parë kurrë nga qytetarët e vet”.

Ndërsa Vanesa Sono ka shpërndarë një video me kritika për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur vështirësitë e pensionistëve, të rinjve dhe familjeve shqiptare.

Reagimet e personazheve publikë vijnë në një moment tensionesh të larta në vend. Megjithëse mesazhet e tyre ndryshojnë në ton dhe përmbajtje, shumica bashkohen në kërkesën për ndalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*