Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat dhe situatën e tensionuar që po kalon Shqipëria, përmes një deklarate të gjatë të publikuar në rrjetet sociale.
Artisti është shprehur se ditët e fundit i ka përjetuar me ankth dhe shqetësim, duke theksuar se në një situatë të tillë çdo deklaratë publike mund të keqinterpretohet.
“Kam jetuar edhe unë, si të gjithë, me ankth e dhimbje të madhe këto ditë kaq të tmerrshme!”, shkruan ai, duke shtuar se shqetësimi i tij kryesor është që të mos ketë njerëz të lënduar, qofshin protestues, fëmijë, të moshuar apo efektivë policie.
Këngëtari i ka kushtuar vëmendje të veçantë përfshirjes së të miturve në protesta, duke dënuar çdo formë dhune ndaj tyre, por edhe përdorimin e tyre për qëllime të ndryshme.
“Dhuna ndaj fëmijëve është absolutisht e patolerueshme, ashtu siç është i patolerueshëm edhe keqpërdorimi i tyre për çfarëdo qëllimi”, shprehet këngëtari, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe kujdes të shtuar nga prindërit.
Megjithatë, një nga pjesët më të rëndësishme të reagimit të tij lidhet me arsyet që kanë çuar qytetarët në protesta.
“Edhe pse natyra ime është thellësisht kundër çdo forme dhune, jam i vetëdijshëm se pas më shumë se katër muajsh protestash paqësore, durimi i një pjese të protestuesve është vënë në një provë!”, shkruan Skënderaj.
Ai thekson se e kupton frustrimin që krijohet kur problemet mbeten pa zgjidhje, por paralajmëron se dhuna sjell vetëm dhunë. Njëkohësisht, këngëtari shpreh keqardhje edhe për dëmtimin e bizneseve private gjatë protestave.
Albani tregon se situata ka ndikuar edhe në krijimtarinë e tij, pasi gjatë këtyre ditëve çdo notë muzikore apo varg që ka shkruar ka mbartur, sipas tij, peshën e ngjarjeve.
Në përfundim, artisti bën thirrje për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje, duke përcjellë një mesazh që përmbledh qëndrimin e tij ndaj situatës.
“Asnjë kauzë nuk duhet të na bëjë të harrojmë vlerën e jetës njerëzore. Por dhe thirrja për qetësi nuk duhet të na bëjë të harrojmë arsyet që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë”, përfundon Alban Skënderaj.

Leave a Reply