Ndarja gjatë xhirimeve të serialit, detajet zbulojnë çfarë ndodhi mes aktorëve turk

Aktori turk Kubilay Aka ka konfirmuar për herë të parë se lidhja e tij me aktoren Hafsanur Sancaktutan ka përfunduar.

Deklarata erdhi gjatë ceremonisë përmbyllëse të Festivalit të Filmit “Altın Koza” në Adana, ku Aka ishte pjesë e jurisë për filmat e shkurtër. Përpara nisjes së ceremonisë, aktori u pyet nga mediat për jetën e tij private dhe foli hapur për fundin e lidhjes.

Kubilay Aka dhe Hafsanur Sancaktutan kishin nisur lidhjen në vitin 2024, pasi ishin njohur më herët gjatë një projekti reklamues. Dyshja më pas u shfaq edhe në projekte të përbashkëta, ndërsa lidhja e tyre u bë një nga romancat më të komentuara të showbiz-it turk.

Në fillim të tetorit, mediat turke raportuan se çifti i kishte dhënë fund lidhjes rreth dyvjeçare dhe se vendimi ishte marrë pas një bisede mes tyre. Megjithatë, deri në deklaratën e fundit të Aka-s, ndarja nuk ishte konfirmuar publikisht nga vetë aktori.

Kjo situatë kishte marrë vëmendje edhe më herët gjatë vitit. Në shkurt, dy aktorët ishin larguar nga njëri-tjetri në rrjetet sociale dhe kishin fshirë fotografitë e përbashkëta, ndërsa në maj u raportua se ata kishin nisur sërish të ndiqnin njëri-tjetrin.

Madje, në korrik, kur u pyet për zërat e ndarjes, Kubilay Aka kishte deklaruar se lidhja e tyre vazhdonte dhe se nuk kishte asnjë problem. Tash, disa muaj më vonë, ai ka konfirmuar se rrugët e tyre si çift janë ndarë.

Duke folur për Hafsanur Sancaktutan, aktori tha se lidhja e tyre kishte zgjatur më shumë se dy vite dhe se kishte pasur periudha kur të dy ishin lodhur emocionalisht nga marrëdhënia.

“Me Hafsanur patëm një marrëdhënie që zgjati më shumë se dy vite. Pati periudha ku të dy u konsumuam. Prandaj, tash e tutje do ta vazhdojmë marrëdhënien tonë si kolegë pune. E doja shumë, e respektoj shumë dhe kështu do të mbetet gjithmonë”, u shpreh Aka.

Të dy aktorët aktualisht janë pjesë e të njëjtit projekt, serialit “Mercan Köşk”, ku luajnë edhe përkrah njëri-tjetrit. Pavarësisht përfundimit të lidhjes, Aka bëri të qartë se bashkëpunimi profesional mes tyre do të vazhdojë. /Prive By Liberta Spahiu/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*