
Një urim ditëlindjeje i Anisa Veselit për Ilirianën ka zbuluar sot një histori shumë më të thellë që deri më tani kishte mbetur larg syrit të publikut.
Në ditën e veçantë të Ilirianës, Anisa ka publikuar një fotografi nga spitali, e realizuar në periudhën kur po përgatitej për një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme të jetës së saj. Krahas saj në fotografi shihen edhe Iliriana dhe bashkëshorti i saj, Adri.
“Nuk do ta harroj kurrë ditën kur m’u gjendët afër ti dhe Adri”, ka shkruar Anisa, duke vendosur për herë të parë të tregojë publikisht peshën që ka pasur ndihma e çiftit në atë periudhë.
Historia bëhet edhe më prekëse kur kujtohet se Anisa kishte vuajtur për rreth 12 vjet nga skolioza, një deformim i shtyllës kurrizore për të cilin ajo dhe familja kishin kërkuar prej vitesh një zgjidhje. Në mars të vitit 2025, ajo iu nënshtrua më në fund ndërhyrjes së shumëpritur, e cila zgjati rreth pesë orë dhe përfundoi me sukses.
Në atë kohë ishte bërë e ditur se, pasi historia e saj u bë publike, disa persona kishin kontaktuar Anisën duke u ofruar që ta ndihmonin edhe në mbulimin financiar të operacionit. Postimi i sotëm zbulon se Iliriana dhe Adri ishin mes njerëzve që i qëndruan pranë në atë kapitull të vështirë të jetës së saj.
“Edhe ju, bashkë me disa të tjerë, jeni arsyeja pse unë jetoj lirshëm sot”, shkruan Anisa në dedikimin e saj, një fjali që tregon më shumë se çdo detaj tjetër për rëndësinë që kishte kjo mbështetje për të.
Iliriana dhe Adri, të njohur për publikun edhe nga pjesëmarrja e tyre si çift në “Big Brother VIP Kosova 2”, kurorëzuan më pas dashurinë e tyre me martesë.
Një vit pas atyre ditëve të vështira, Anisa sot jo vetëm që e kujton ndihmën, por ka zgjedhur pikërisht ditëlindjen e Ilirianës për t’i thënë publikisht një “faleminderit” që duket se e kishte ruajtur prej kohësh. /Prive By Liberta Spahiu/


Leave a Reply