1000 të ftuar e listë e gjatë këngëtarësh, detajet e dasmës më të shtrenjtë shqiptare

Dasma më e shtrenjtë shqiptare u zhvillua mbrëmë dhe ne ju çojmë brenda saj me detaje ekskluzive.

Gjithçka nisi të kuptohej nga postimet e Alketa Vejsiut, e cila paralajmëroi eventin më të madh që kishte organizuar me kompaninë e saj në 15 vite punë.

Pas një viti përgatitjesh, Alketa ndau pamjet nga mbrëmja spektakolare, duke zbuluar transformimin e Pallatit të Kongreseve, i cili për herë të parë u kthye në një sallë gjigante dasmash.

Në këtë event morën pjesë rreth 1 mijë të ftuar, ndërsa për realizimin e tij punuan rreth 300 persona. Pavarësisht përmasave, dasma ishte menduar të mbetej tejet private, larg ekspozimit të tepërt publik.

Në qendër të kësaj nate ishin Kreshnik Morina dhe partnerja e tij, Sindi, të cilët kurorëzuan dashurinë në një ambient të transformuar tërësisht, me dekor madhështor, instalacione artistike dhe një sasi të jashtëzakonshme lulesh.

Kreshniku është djali i biznesmenit të njohur Kadri Morina, një emër i spikatur në sektorin e sigurimeve, ndërtimit dhe investimeve në Shqipëri e Kosovë.

Prive By Liberta Spahiu mëson se vetëm lulet kanë kushtuar qindra mijëra euro, duke e bërë dekorin një nga elementet më të kushtueshme të gjithë eventit.

Edhe programi muzikor ishte menduar në detaje. Këngëtari kryesor i dasmës ishte Sinan Hoxha, i cili shoqëroi disa nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes, nga hyrja e çiftit, te vallja e parë dhe pjesa tradicionale.

Në skenë performuan gjithashtu Gëzim Nikaj, Edi Furra, Yllka Kuqi, Meda dhe Bujar Qamili. Por surprizat nuk përfunduan këtu.

Prive By Liberta Spahiu mëson se për të ftuarit performoi edhe këngëtari i njohur grek Giorgos Tsalikis, i cili ishte një nga surprizat speciale të natës.

Mes rreth 1 mijë të ftuarve kishte edhe shumë personalitete të njohura nga jeta publike, biznesi dhe politika. E pranishme ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Nga transformimi i Pallatit të Kongreseve, te lulet, artistët dhe programi i gjatë deri në orët e para të mëngjesit, gjithçka ishte menduar për ta kthyer dasmën e Kreshnikut dhe Sindit në një event magjik dhe në një nga dasmat më luksoze shqiptare të viteve të fundit. Dhe ashtu doli. /Prive By Liberta Spahiu/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*