Lirohet nga paraburgimi reperi Buta

Reperi i njohur Buta, Betim Januzi është liruar zyrtarisht nga masa e paraburgimit.

Ky vendim vjen pasi më 13 prill, Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte caktuar atij një muaj paraburgim nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “posedim i paautorizuar i armëve”.

Masa fillestare e sigurisë ndaj artistit ishte caktuar pas një incidenti të rëndë të ndodhur në vendparkimin e një lokali të ngrënies, ku pas një përleshjeje të çastit mes disa personave u raportuan edhe lëndime trupore.

Sipas dosjes së siguruar nga prokuroria, ngjarja ka ndodhur saktësisht rreth orës 20:15, ku pas një fjalosjeje të momentit në parking, situata ka degraduar në dhunë fizike.

Në dokumente thuhet se personi me inicialet E.H. dyshohet se e ka sulmuar Butën me një mjet të mprehtë, që dyshohet të jetë thikë.

Si pasojë e këtij sulmi të drejtpërdrejtë, reperi ka pësuar prerje të thella në dorë dhe lëndime të tjera në pjesë të ndryshme të trupit, të cilat tashmë janë të dokumentuara plotësisht përmes raportit mjekësor të lëshuar nga ana e emergjencës.

Në këtë proces gjyqësor, Betim Januzi po mbrohet nga avokati i njohur Naim Ferati.

Ky i fundit, pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave të rastit dhe argumentimit të mbrojtjes, ka arritur të sigurojë lirimin e klientit të tij nga qelia, duke bërë që reperi ta ndjekë pjesën tjetër të procedurës në liri.

Ndërkohë, organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve që çuan deri te ky sherr i përgjakshëm.

/Prive By Liberta Spahiu

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*