Zbulohet me sa mijëra euro u gjobit Gjesti/ Flet avokati i tij

Një ditë pas lirimit nga paraburgimi, detaje të reja rreth çështjes ligjore të këngëtarit Besart Kelmendi, njohur si “Gjesti”, janë bërë publike.

Përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Artan Çerkini, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Shqipëria Live”, ka sqaruar dinamikën e ngjarjeve që çuan në ndalimin e artistit dhe sanksionet përkatëse të marra ndaj tij.

Avokati theksoi se thelbi i konfliktit lidhet me pretendimet për borxhe të pashlyera nga kompania muzikore “Onima”, duke konfirmuar gjithashtu pranimin e plotë të fajësisë nga ana e këngëtarit lidhur me dëmtimin e pronës, kanosjen dhe armëmbajtjen.

“Incidenti, i cili ka shërbyer si pretekst për ndalimin e Gjestit, i ka paraprirë një mosmarrëveshjeje mes tij dhe kompanisë Onima, që sipas tij kjo kompani i ka borxhe këngëtarit. I revoltuar nga injorimi i kompanisë, Gjesti ka reaguar me ato që edhe ju keni parë. Ai në fakt e ka pranuar se ka thënë fjalë jo të mira, të cilat mund të kenë pasur edhe tone kërcënuese ndaj stafit. I ka dëmtuar edhe disa objekte, dhe ka pasur me vete edhe një armë pa leje. Pastaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Në seancë ai pranoi fajësinë dhe kërkoi falje. Në momentin kur një i dyshuar e pranon fajësinë, nuk caktohet paraburgimi. Një i dyshuar që rrëfen ngjarjen, nuk duhet të mbahet në paraburgim. Ai menjëherë ka shfaqur shenja pendese, edhe të gjithë njerëzit që e njohin e dinë që ai nuk është i dhunshëm, por është një incident i momentit. Gjesti tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur. Ky ishte një leksion për Gjestin,” — u shpreh Çerkini.

Duke folur për sanksionet dhe gjendjen emocionale të këngëtarit pas përfundimit të seancës, mbrojtësi ligjor shtoi se lirimi ka shërbyer si një moment lehtësimi, duke marrë në konsideratë edhe një tragjedi të kaluar familjare të artistit me humbjen e të vëllait.

“Ndjente keqardhje. Po ashtu, premtoi se në të ardhmen nuk do të përsërisë sjellje të kësaj natyre. Me siguri, kur është liruar, ka qenë një moment emocionues, marrë parasysh edhe faktin e tragjedisë familjare. Gjesti nuk ka asnjë masë kufizuese tani, nuk ka pengesa. Nuk është caktuar as ndonjë masë tjetër procedurale. Ai është dënuar me kusht dhe me gjobë. Kjo është çështje penale. Ka marrë edhe një gjobë 7 mijë euro. Primare ka qenë lirimi i Gjestit. Tani ai është i lirë dhe është në një pozitë më të mirë për të marrë vendime. Këshilla e parë për Gjestin është të mos i përsërisë më këto veprime. Mosmarrëveshjet t’i zgjidhi në rrugë ligjore.”

Kujtojmë se Gjesti rifitoi lirinë mbrëmjen e së enjtes, pasi arriti një marrëveshje me Prokurorinë e Shtetit në Prishtinë.

Menjëherë pas daljes nga qelia, ai publikoi një reagim ku konfirmoi nisjen e procedurave formale ligjore kundër kompanisë në fjalë, duke premtuar se kjo situatë nuk do të ndalojë vazhdimësinë e tij në muzikë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*