Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur ditën e sotme se ka ndaluar një person të dyshuar në lidhje me kanosjen e gazetarit dhe moderatorit të njohur, Alaudin Hamiti.
Kujtojmë se moderatori i formatit “Big Brother VIP Kosova” ka qenë cak i një sulmi fizik më datë 20 shkurt të këtij viti në Prishtinë. Kjo ngjarje ngjalli reagime të shumta publike në mbështetje të tij dhe në mbrojtje të profesionit të gazetarit.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë të publikuar sot, me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar personi me inicialet L.B. për një periudhë prej 48 orësh. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, ndaj gazetarit (A.H.), pikërisht për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Institucioni i Prokurorisë bën me dije se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe brenda afatit ligjor pritet të paraqitet kërkesa për caktimin e masave të mëtejshme ndaj të dyshuarit.
Në mbyllje të reagimit, Prokuroria Themelore theksoi përkushtimin e saj në mbrojtjen, garantimin e sigurisë së plotë për gazetarët dhe respektimin e lirisë së shprehjes. /Prive By Liberta Spahiu/

Leave a Reply