Në një bisedë emocionale me Stenaldon, Luizi ka ndarë publikisht një nga periudhat më të errëta të jetës së tij, duke folur hapur për vetminë, depresionin dhe humbjen e shpresës që e çuan drejt mendimeve ekstreme.
Ai tregoi se u bë baba në moshën 38-vjeçare, por vetëm një vit më parë ndodhej në një gjendje të rëndë psikologjike. Sipas tij, në moshën 37-vjeçare kishte bindjen se nuk do të kishte kurrë familje dhe se nuk do të mund të ishte asnjëherë një shembull për një fëmijë.
“Unë 38 vjeç u bëra baba. Unë isha 37 kur i kisha humbur shpresat. Thoja që nuk ka njeri për mua. Nuk do kem kurrë familje, nuk do jem kurrë kryefamiljar, nuk do jem kurrë një shembull i fëmijës tim. U mësova me këtë dhe e kam vuajtur shumë. Kam jetuar vetëm dhe vetmia, nuk ka gjë më të keqe. Por po u mësove, nuk të prek asgjë. Në vetmi ti kalon gjithçka, kalon në depresion, në stres. Kam tentuar të bëj gjithçka, kam tentuar edhe budallallëqe. Kam tentuar të bëj një budallallëk shumë të rënd, që ishte t’i jepja fund jetës. Është e rëndë.” rrëfeu Luizi, duke shtuar se vetmia ishte kthyer në një mënyrë jetese, por edhe në një barrë të rëndë emocionale.
Ai theksoi se izolimi e kishte çuar gradualisht drejt depresionit dhe stresit, deri në atë pikë sa tentoi të bënte “një budallallëk shumë të rëndë”, duke iu referuar përpjekjes për t’i dhënë fund jetës.
“Është shumë e rëndë, por nëse e kalon atë fazë, bëhesh i ftohtë emocionalisht. Arrin në një pikë ku thua: ‘Nëse kësaj bote nuk i intereson për mua, pse duhet të më interesojë mua për të?’,” u shpreh ai.
Sipas Luizit, ajo ishte pika më kritike, por njëkohësisht edhe momenti ku njeriu përballet me zgjedhjen më të rëndësishme të jetës.
Rrëfimi i tij është pritur me ndjeshmëri, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e shëndetit mendor dhe faktin se pas periudhave më të errëta mund të vijë një kthesë e fortë në jetë.


Leave a Reply