Shiste mallra të falsifikuara me logo luksoze, arrestohet ish-konkurrenti i “Për’puthen”

Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme ish-konkurrentin e “Për’puthen”, i cili shiste në dyqanin e tij produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje. Në pranga ka rënë Hysen Ramaj, 29 vjeç, banues në Tiranë.

Operacioni policor u finalizua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare, të cilët zhvilluan kontrolle dhe verifikime me qëllim evidentimin e subjekteve që ushtronin aktivitetin e tyre në informalitet dhe shmangnin detyrimet tatimore. Gjatë operacionit të koduar “Etiketa” u zbulua një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”, ku shiteshin produkte me logo të markave të njohura ndërkombëtare, të dyshuara si false.

Sipas njoftimit zyrtar, në subjekt u sekuestruan veshje, çanta, syze dhe ora me logo firmash luksoze, për të cilat pronari nuk dispononte fatura mbi origjinën e mallrave. Po ashtu, dyshohet se ai nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjen e produkteve, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Ky rast vjen në një moment kur autoritetet kanë paralajmëruar një goditje më të fortë ndaj tregut të mallrave të falsifikuara në vend.

Vitet e fundit, në redaksinë tonë kanë mbërritur dhjetëra denoncime nga qytetarë që kanë rënë pre e bizneseve që shisnin produkte “fake” me premtimin e rremë të firmave origjinale dhe çmimeve të ulëta. Në shumë raste, konsumatorët janë mashtruar me mallra pa cilësi, pa garanci dhe pa asnjë vlerë reale.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për markat tregtare, situata pritet të ndryshojë ndjeshëm. Ligji e bën të paligjshëm importin dhe eksportin e produkteve që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe parashikon ndalimin e tyre që në pikat doganore. Një treg i ndërtuar mbi “imitime luksi”, ku emra si Gucci, Louis Vuitton apo Dior janë përdorur gjerësisht në reklama dhe shitje online, synohet të marrë fund.

Rregullat e reja prekin edhe udhëtarët. Çdo person që hyn në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësore apo detare, lejohet të ketë me vete vetëm mallra jo tregtare dhe brenda kufijve duty free. Edhe një çantë apo palë këpucë imitim, nëse konstatohet si shkelje e markës së mbrojtur, rrezikon të konfiskohet nga doganat.

Ligji u njeh pronarëve të markave të famshme të drejtën për të ngritur padi dhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përdorimi i paautorizuar i markave të tyre. Në nenin 87 parashikohet qartë se çdo shkelje e tillë mund të penalizohet, ndërsa pronarët e markave kanë të drejtë të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale.

Tregu i produkteve “fake” ka qenë një problem serioz ekonomik, duke dëmtuar bizneset e ndershme që importojnë mallra origjinale dhe duke mashtruar konsumatorët shqiptarë, të cilët kanë paguar për produkte pa cilësi dhe shpesh të rrezikshme për shëndetin. Një treg pa mallra të falsifikuara do të thotë më shumë transparencë, më shumë siguri dhe më shumë besim për konsumatorin.

Sfida mbetet zbatimi i ligjit në praktikë. Pa kontrolle të rrepta dhe bashkëpunim efektiv mes doganave, policisë dhe institucioneve përkatëse, ekziston rreziku që tregu i “fake firmato” të gjejë rrugë alternative./GazetaReforma

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*