Mimoza Ahmeti njihet gjerësisht si një nga penat më rebele dhe më të vlerësuara të letërsisë shqipe, por ajo që shumëkush mund të ketë harruar është fakti se ajo është një artiste e vërtetë multidimensionale.
Përveç suksesit në botën e librave, Mimoza ka një histori mjaft interesante me muzikën, duke sfiduar ndër vite skenat e festivaleve më të rëndësishme në vend.
Së fundmi, një video e saj po bëhet virale në platformën TikTok, duke rikthyer në vëmendje performancën e saj ikonike të vitit 2003 në “Kënga Magjike”.
Me këngën titulluar “Arti i jetës në vetmi”, ajo solli një stil unik dhe një vërtetësi që rrallëherë shihej në skenat e asaj kohe, duke u shndërruar menjëherë në një moment nostalgjik për ndjekësit e rrjeteve sociale.
Pjesëmarrjet e saj nuk kanë qenë të rastësishme, pasi ajo ka lënë gjurmë edhe në skena të tjera prestigjioze si “Top Fest”, duke dëshmuar se poezia e saj mund të kthehet lehtësisht në melodi.
Përveç hitit “Arti i jetës në vetmi”, publiku e kujton atë edhe për këngë të tjera mjaft të njohura si “Lejla”, ku shfaqi anën e saj më avangarde, apo performancën plot ndjesi në këngën “Bukuritë e tua”.
Ky rikthim në vëmendje vjen në një moment kur Mimoza ka fituar sërish adhurimin e masës përmes eksperiencës së saj në “Ferma VIP”.
Ajo arriti të marrë zemrat e publikut me thjeshtësinë dhe karakterin e saj unik, duke u shpallur madje edhe si fermerja e preferuar nga votat e njerëzve.
Edhe pse sot vazhdon të jetë aktive në projekte të ndryshme, këto materiale arkivore dhe suksesi i saj i fundit televiziv na kujtojnë se arti i Mimozës nuk njeh kufij dhe se ajo mbetet një nga ato personazhe që di të mbetet gjithmonë aktuale. /Prive By Liberta Spahiu
@arbi1985

Leave a Reply