Përgjatë ditëve të fundit, në rrjet kanë qarkulluar aludime të shumta se roli i rëndësishëm i “Kryeplakut” në edicionin e tretë të “Ferma VIP” do t’i besohej këngëtarit Luiz Ejlli.
Megjithatë, regjisori i formatit ka hedhur poshtë këto zëra, duke treguar se ky pozicion ka pësuar një ndryshim thelbësor në strukturën e programit.
Eduart Grishaj ka bërë të ditur se këtë sezon nuk do të ketë një figurë të dedikuar fizikisht brenda fermës për të luajtur këtë rol.
Gjatë sqarimit të detajeve të reja për spektaklin dhe ndarjes së detyrave të stafit, ai zbuloi se përgjegjësia do t’i kalojë drejtpërdrejt moderatores së programit.
Pasi prezantoi panelin e opinionistëve, Grishaj deklaroi: “Ermal Mamaqi do të sjellë humorin, Einxhel Shkira analizën e showbiz-it dhe Armina Mevlani eksperiencën e saj. Kryeplakja do të jetë Arbana nga studioja.”
Kjo deklaratë lë të kuptohet se Arbana Osmani do të menaxhojë dinamikat dhe zhvillimet e fermerëve direkt nga studioja qendrore, duke eliminuar kështu nevojën e një “Kryeplaku” tradicional siç jemi mësuar të shohim në dy sezonet e mëparshme.
Theksojmë se edicioni i tretë i “Ferma VIP” nis transmetimin këtë të premte, duke sjellë 24 personazhe të njohur në një hapësirë të zgjeruar me tre shtëpi të ndryshme dhe të monitoruar me 158 kamera në çdo moment të ditës.

Leave a Reply