Fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, Luiz Ejlli, ka përmbushur fjalën e dhënë ndaj ish-konkurrentit të këtij sezoni, Stenaldos.
Mëngjesin e sotëm, dyshja është takuar jashtë ambienteve të shtëpisë, duke kaluar një pjesë të ditës bashkë dhe duke ndarë këtë moment miqësor me ndjekësit në rrjetet sociale.
Disa javë më parë, Luizi u bë pjesë e shtëpisë së “Big Brother VIP 5” për një periudhë 72-orëshe si një surprizë nga produksioni, ndonëse banorët e tjerë fillimisht besonin se ai ishte futur si një lojtar i rregullt në garë.
Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër, ai krijoi një raport mjaft të afërt dhe mbështetës me Stenaldon.
Në atë kohë, Luizi i theksoi se kishte fituar një mik për jetë dhe i premtoi se do të ishte personi i parë që do ta priste dhe takonte pas përfundimit të rrugëtimit të tij televiziv.
Ky premtim është materializuar sot dhe takimi është konfirmuar përmes një fotografie të publikuar në llogarinë zyrtare të Stenaldos në Instagram.
Personi që menaxhon profilin e ish-banorit e ka shoqëruar imazhin me fjalët e sakta: “Faleminderit për suportin! Shumë i lumtur që u takuam përsëri. Vlerësim dhe respekt”.
Kujtojmë se Stenaldo ndërpreu garën e tij në këtë edicion të pestë të spektaklit vetëm pak javë përpara finales së madhe, duke lënë pas një rrugëtim që tërhoqi vëmendjen e një pjese të gjerë të publikut dhe vetë personazheve të tjerë publikë.


Leave a Reply