Seriali ikonik “Çka Ka Shpija” ka mbyllur siparin me episodin e tij të fundit, duke lënë pas një histori të gjatë televizive dhe emocione të shumta për aktorët dhe publikun. Fiona Gllavica, e cila i dha jetë personazhit të dashur të Pajtesës, ka bërë një reagim emocional, duke e nisur mirënjohjen e saj pikërisht nga zanafille e këtij rrugëtimi: besimi i Naser Rafunës.
Në postimin e saj të lamtumirës, Fiona ka vendosur theksin te roli vendimtar që krijuesi i serialit pati në karrierën e saj. Ajo e ka falënderuar publikisht Naser Rafunën, jo vetëm për rolin e “Pajtesës” që i besoi vite më parë, por për të gjithë rrugëtimin artistik që kanë bërë së bashku në atë që ajo e quan “shtëpia e dytë”.
Aktorja bëri një krahasim prekës të kohës. Ajo kujtoi se episodin e parë, të transmetuar për Vitin e Ri 2015, e kishte parë kur ishte ende studente në vitin e katërt. Ndërsa sot, episodin e fundit e ka ndjekur e rrethuar nga dy fëmijët e saj, një dëshmi e qartë se si seriali ka qenë pjesë e rritjes së saj, jo vetëm profesionale, por edhe personale.
Gjatë xhirimeve të fundit, mes emocioneve, Arbnori u dhuroi aktorëve nga një poster të veçantë me nënshkrimet e secilit. Fiona zbuloi një detaj interesant rreth kastit: përveç saj dhe Naserit që kanë origjinalin e posterit, është Dardani ai që mban një rekord absolut. Sipas saj, Dardani ka luajtur në 544 nga 545 episodet e serialit, duke qenë aktori me prezencën më të madhe, më shumë se kushdo tjetër.
Për ta mbyllur këtë kapitull, Fiona u sigurua që të merrte me vete disa kujtime fizike të personazhit që e bëri të famshme. Ajo i kërkoi kostumografes disa objekte kult të Pajtesës për t’i ruajtur si kujtim:
* Një lirë;
* Trenerkat e episodeve të para që i kishte veshur me shtiklla;
* Dhe një xhemper që e kishte veshur më shpesh.
“E di që çorapet e bardha me shtiklla të Pajtesës keni me i mbajtë mend gjatë,” shkruan ajo, duke mbyllur kështu një epokë të rëndësishme të humorit shqiptar. /Prive By Liberta Spahiu


Leave a Reply