‘Zemra po më plas’, Selvija zbulon pyetjen që Shpati ia bëri për BBV

Mbrëmja e djeshme nuk ishte thjesht nata e parë e spektaklit “Big Brother VIP”, por një kujtesë e dhimbshme e një vendi që mbeti bosh. Gjatë ‘Prime-t’ të parë u mbajt një homazh prekës për këngëtarin e njohur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tragjikisht më 26 nëntor, vetëm pak javë para se të bëhej banor i shtëpisë më të famshme.

Kjo natë, që supozohej të shënonte nisjen e një aventure të re televizive për të, u kthye në momentin më të vështirë për bashkëshorten e tij, Selvije Jao. Përmes një reagimi rrëqethës, ajo zbuloi për herë të parë bisedën e tyre të fundit rreth këtij formati, e cila sot tingëllon si një parandjenjë e hidhur.

Selvija tregon se kur Shpati po planifikonte hyrjen në shtëpi, shqetësimi i tij kryesor ishte familja.
“Kur Shpati mendonte të hynte në Big Brother, më pyeti: ‘Do mundesh ta përballosh mungesën time dhe të kujdesesh e vetme për Roelin, derisa unë të jem në Big?’” – shkruan ajo.

Në atë kohë, përgjigja e saj ishte plot humor dhe mbështetje: “Patjetër… do të të kem 24/7 para syve”. Ajo kishte menduar se mungesa do të ishte thjesht fizike, brenda ekranit, pa e ditur se data 26 nëntor do ta kthente atë bisedë në kujtimin më të dhimbshëm të jetës së saj.

Homazhi i mbrëmshëm në “Top Channel” rihapi plagën e faktit se “të gjitha ato plane, strategji dhe ëndrra” për lojën televizive, përfunduan në një “mungesë të përjetshme”.

Selvija rrëfen se shpirti i saj ende kishte një fije shprese të pavetëdijshme:
“Unë prita deri në këto momente! Prita që të hysh në Big, sikur gjithçka të ishte vetëm një vonesë e gjatë.”

Dhimbja bëhet edhe më e madhe kur mendon për djalin e tyre të vogël, Roelin. Selvija shprehet se zemra po i plas pasi e kërkon Shpatin kudo dhe nuk e gjen askund.

“Roeli rritet pa dorën tënde, dhe unë mësoj çdo ditë të jetoj me një dhimbje që nuk mësohet kurrë të shuhet,” shkruan ajo, duke mbyllur mesazhin me fjalët: “Më mungon më shumë se sa fjalët mund ta mbajnë.”

Në vend që publiku ta shihte Shpatin duke hyrë në shtëpi mbrëmë, u përball me boshllëkun e madh që artisti dhe njeriu i mirë la pas, një mungesë që asnjë spektakël nuk mund ta mbushë. /Prive By Liberta Spahiu

Screenshot

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*